✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Kush është gjyqtari “tirons” që iu besua sot drejtimi i Gjykatës së Lartë

Ilir Panda do të jetë kryetari i ri i Gjykatës së Lartë. Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të kësaj gjykate miratoi sot kandidaturën e tij me 14 vota pro dhe asnjë kundër.

Panda ishte kandidati i vetëm në garën për drejtimin e Gjykatës së Lartë. Ai është pjesë e kësaj gjykate prej 11 marsit 2020 dhe kandidaturën për postin e kryetarit e dorëzoi më 11 shtator, brenda afatit të përcaktuar.

Sipas burimeve për mediat, Ilir Panda do të marrë zyrtarisht detyrën më 19 tetor 2026.

Gara për kreun e Gjykatës së Lartë u hap në mes të muajit gusht, pas përfundimit të mandatit 3-vjeçar të Sokol Sadushit, i cili mbyllet më 17 tetor.

Me marrjen e detyrës më 19 tetor, Panda do të drejtojë Gjykatën e Lartë pas zgjedhjes së tij me mbështetjen unanime të gjyqtarëve të pranishëm në votim.

Kush është Ilir Panda:

Ilir Panda ka lindur në Tiranë, më 8 Gusht 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.

Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.

Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.

Po ashtu, Panda ka qenë dhe Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.

Advertisement