Vuçiç tha të martën se Serbia ra në kurthin e ngritur nga SHBA, Zvicra dhe Sllovenia.

“Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit, pyeta se për çfarë bëhej fjalë, por më pas kuptuam se për këtë ishin marrë vesh amerikanët, sllovenët dhe zviceranët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiç.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në një deklaratë në punimet e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes popullit slloven dhe atij serb”, u shpreh kryeministri slloven Robert Golob, duke komentuar një deklaratë të Vuçiç.

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ftoi të ngarkuarin me punë në ambasadën e Serbisë në Lubjanë pas deklaratës së Vuçiç kundër Sllovenisë pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e Vuçiç, ndaj dhe vendosën të ftojnë të ngarkuarin me punë të Serbisë për t’i mbrojtur ato.

“Ne kërkojmë shpjegim, falje, nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore”, tha ajo duke i quajtur të pavërteta fjalët e tij.