Aktualitet
Lezha zgjohet nën ujë, reshjet e shiut gjatë natës shkaktojnë përmbytje
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë natës kanë krijuar probleme serioze në qytetin e Lezhës. Kanalizimet nëntokësore nuk kanë përballuar prurjet e mëdha të ujit, duke bërë që sasia e tepërt të dalë në sipërfaqe dhe të shkaktojë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari”, në lagjen “Besëlidhja”.
Sipas banorëve të zonës, uji ka depërtuar në rrugë dhe në disa raste ka hyrë edhe pranë ambienteve të banimit, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve. Që në orët e para të mëngjesit, punonjësit e shërbimeve publike po ndërhyjnë për zhbllokimin e pusetave dhe kanaleve kulluese, me qëllim që ujërat të tërhiqen sa më shpejt dhe situata të rikthehet në normalitet, ndërsa reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim.