✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Shpërthimi në pallat/ Kryebashkiaku: Vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin e zhdukur

Shpërthimi i fuqishëm në një pallat pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dëme të rënda strukturore, ndërsa një 83-vjeçare ka humbur jetën. Për ngjarjen ka dhënë detaje kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, sipas të cilit 10 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle.

Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e një 69-vjeçari, i cili rezulton ende i pagjetur.

Llatja bëri të ditur se shpërthimi ka dëmtuar rëndë strukturën e ndërtesës. Një pjesë e katit të katërt është shembur mbi katin e tretë, ndërsa janë dëmtuar edhe shkallët lidhëse nga kati i tretë deri në katin e pestë.

“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.

Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.

Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.

Advertisement