Connect with us

Bota

Irani vë shënjestër bazat amerikane në Evropë/ NATO: Jemi gati për çdo sulm

NATO ka deklaruar se është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e aleatëve, pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake amerikane në Evropë në rast të përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara.

Reagimi i aleancës erdhi pas një raportimi të Financial Times, sipas të cilit Teherani ka vlerësuar skenarë për sulme ndaj instalimeve ushtarake amerikane në territorin evropian, nëse administrata e Donald Trump vendos të intensifikojë operacionet ushtarake.

Një zyrtar i NATO-s, i pyetur nga Reuters për këto raportime, tha se aleanca ka kapacitete të forta mbrojtëse dhe parandaluese.

“NATO është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, deklaroi zyrtari.

Ai iu referua gjithashtu operacioneve të mbrojtjes ajrore të NATO-s më herët gjatë vitit, duke thënë se aleanca kishte interceptuar katër raketa balistike të drejtuara nga Irani drejt Turqisë.

Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga Financial Times, forcat iraniane kanë shqyrtuar skenarë për sulme ndaj instalimeve amerikane në Evropën Juglindore. Në këto skenarë përmendet edhe Bullgaria, ku autoritetet kanë miratuar përdorimin e bazës ajrore Besmer nga avionë amerikanë të furnizimit me karburant.

Burimet kanë përmendur gjithashtu Qipron si një objektiv të mundshëm në rast të një sulmi të ri amerikan. Sipas të njëjtave raportime, ushtria iraniane ka shqyrtuar veçmas edhe mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të fibrave optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

Nëse këto skenarë do të materializoheshin, konflikti do të mund të shtrihej përtej Lindjes së Mesme dhe të krijonte një situatë të re sigurie për instalimet amerikane dhe aleatët e NATO-s në Evropë.

Advertisement