Aktualitet
Nga 3 shtatori ndalet importi i mishit nga Brazili/ Pas 20 vitesh, merret vendimi
Pas rreth 20 vitesh, Shqipëria pritet të ndërpresë importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve të rregullave evropiane për produktet me origjinë shtazore.
Sipas një shkrese të Ministrisë së Bujqësisë drejtuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndryshimet e përcaktuara në rregulloren zbatuese të Komisionit Evropian reflektohen drejtpërdrejt edhe në rregullat shqiptare për importin e këtyre produkteve.
Në dokumentin e siguruar nga Top Channel, AKU udhëzohet të marrë masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve që importojnë mish gjedhi dhe shpendësh nga Brazili. Sipas shkresës, zbatimi i ndryshimeve nis më 3 shtator 2026.
Vendimi lidhet me qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj produkteve me origjinë shtazore nga Brazili, në kuadër të kontrolleve dhe kërkesave për sigurinë ushqimore dhe përdorimin e substancave veterinare.
Brazili ka qenë prej vitesh një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me produkte mishi. Importet nga ky vend kanë furnizuar jo vetëm tregun e konsumit, por edhe industrinë shqiptare të përpunimit të mishit.
Të dhënat e WITS të Bankës Botërore tregojnë se gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili rreth 28.5 milionë dollarë produkte të kategorisë së mishit dhe të brendshmeve. Rreth 10.1 milionë dollarë e kësaj vlere i përkisnin mishit dhe produkteve të shpendëve.
Ndërprerja e importeve krijon tashmë nevojën për gjetjen e burimeve alternative të furnizimit. Sfida për tregun shqiptar do të jetë sigurimi i sasive të nevojshme të mishit, duke ruajtur njëkohësisht çmimet konkurruese dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Për konsumatorët, ndryshimi mund të sjellë edhe pasoja në treg, veçanërisht nëse furnizuesit e rinj kanë kosto më të larta ose nëse kërkesa për mish duhet të mbulohet nga tregje të tjera.