Politike
Apartamentet bosh në Tiranë, Shakohoxha: Gënjeshtër e madhe! Rama: Nuk ka krizë në ndërtim
Kryeministri Edi Rama ka publikuar episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku i ftuar ishte Dritan Shakohoxha, i cili tashmë ushtron aktivitetin si biznesmen në fushën e pasurive të paluajtshme (Real Estate).
Gjatë bisedës, Rama foli për ecurinë e tregut të pronave në Tiranë dhe Shqipëri, duke kundërshtuar pretendimet për një krizë në sektorin e ndërtimit dhe shitjes së pasurive të paluajtshme.
Duke iu referuar pretendimeve se në Tiranë ka mijëra apartamente bosh dhe të pashitura, kryeministri kërkoi edhe mendimin e Shakohoxhës si njohës i tregut.
Ky i fundit i cilësoi këto pretendime si “një gënjeshtër të madhe”, duke argumentuar se tregu vijon të jetë aktiv dhe se vlera e pronave është rritur.
Nga ana tjetër, Rama deklaroi se që prej kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës ka punuar për rritjen e vlerës së pronave, duke përmendur ndërhyrjet në infrastrukturë, ndriçimin, trotuaret dhe projektet arkitekturore.
Kryeministri shtoi se me ligjin e ri të strehimit janë përfshirë edhe komponentë të rinj financiarë, me synimin për të ndihmuar qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë.