Connect with us

Politike

Një hap më tej në negociatat me BE, por raporti IBAR ka rreshtuar një varg kushtesh dragoniane

Nga Andi Bushati

Ashtu sikurse ndodh rëndom Edi Rama dhe Sali Berisha kanë dalë në publik me qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me çka ka ndodhur këto ditë, në rrugën e përparimit të Shqipërisë drejt BE-së. I pari ka bërtitur fitore duke e vënë theksin te përmbyllja me sukses e fazës hyrëse të këtij procesi, ndërsa i dyti e ka vënë theksin në rëndimin e kushteve që i janë vënë vendit dhe shtimin e monitorimit ndaj tij.

Le ti shikojmë me radhë…

Shefi i qeverisë, me anë të një satatusi në rrjetet sociale, ka shpallur se i është dhënë fund retorikës së opozitës për bllokim të perspektivës evropiane, se Shqipëria tashmë e ka të miratuar raportin e IBAR, që mbahej i ngrirë që prej shkurtit, se ajo do të ulet, në fund të këtij muaji në konferencën ndërqeveritare me BE-në, një hallkë që i hap rrugën mbylljes së kapitujve të negociatave.

Për të gjitha këto kryeministri ka të drejtë. Ai ka arritur një fitore kundrejt pretendimeve se sjellja ndaj SPAK-ut, rrefuzimi për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe skandale si ato të AKSH i kanë shtyrë vendet anëtare ta penalizojnë Shqipërinë. Fakti është se ne jemi lejuar të hedhim një hap më tej dhe kjo është një gjë me të cilën çdo qeverisje do të mburrej.

Por, nga ana tjetër, kjo është vetëm gjysma plot e gotës. Sepse vërtet ambasadorët e 27-shes e kanë lejuar Komisionin Evropian të ecë përpara në negociatat me Shqipërinë, por ata e kanë bërë këtë duke shtuar kushte, duke rritur mbikqyrjen dhe duke i bashkëngjitur raportit të mëparshëm IBAR, kritere shumë më të forta. Ndërsa Edi Rama ka zgjedhur të heshtë për të gjitha këto, Sali Berisha ka këmbëngulur vetëm në këtë gjysmë bosh të gotës. Në një dalje të gjatë live tv, lideri i PD ka bërë një bilanc të detajuar se çfarë shkruhej në raportin IBAR të 2 shkurtit të këtij viti dhe se si është transformuar i njëjti dokument, pas mbi dhjetra vërejtjeve që janë bërë gjatë këtyre muajve, në mbledhjet e grupit Coela. Korigjimet, ashpërsimi i gjuhës dhe rritja e kushtëzimeve në raportin e miratuar në 21 maj, janë mbresëlënëse. Si kurrë ndonjëherë më parë korrupsioni që ka pllakosur vendin, i dalë në dritë të djellit nga skandalet e fundit, nga një “shqetësim serioz” në draftin e parë, votohet si një “shqetësim thelbësor”, në atë përfundimtar. Për herë të parë i kërkohet vendit të zhvillojë zgjedhje me kushte të barabarta loje. Gjithashtu një risi është edhe përmendja e patronazhistëve dhe kërkesa për uljen e ndikimit të tyre në garat elektorale. Aty theksohen me forcë sulmet e niveleve të larta ndaj SPAK-ut dhe gjykatave, të vëna re kohët e fundit, duke shigjetuar drejtpërdrejt gjuhën dhe veprimet e kryeministrit. Aty sendërzohet kërkesa këmbëngulëse e vendeve si Gjermania dhe Holanda për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke iu referuar standarteve të Komisionit të Venecias për imunitetin e deputetëve.

Pra, Berisha ka të drejtë kur i citon një nga një këto probleme por, ai i përcjell publikut të vërtetën gjysmake pasi nuk e përmend fare faktin se i njëti raport IBAR, që i numëron këto, në fund, me zemër të thyer, e ka lejuar vendin të kapërcejë një hap përpara në rrugën e vështirë të integrimit. Edhe ai, po ashtu si dhe Rama, i refuzojnë publikut një pasqyrë të plotë të asaj që ka ndodhur. Kryeministri ka të drejtë kur thotë se procesi nuk u ngri dhe Shqipëria nuk u bllokua. Por edhe rivali i tij direkt nuk gënjen aspak kur këmbëngul se ato kushte që na kishin mbajtur peng deri më tani, as nuk u përmirësuan, as nuk u zhdukën, ato thjeshtë u transferuan drejt një faze tjetër duke e detyruar Komisionin Evropian që të këmbëngulë për to gjatë negocimit për mbylljen e kapitujve.

Por, këto të vërteta nuk mund të jenë të sakta dhe të plota, pa u parë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Këtë gjë që si Rama dhe Berisha e anashkalojnë në një vend normal duhet ta bënin mediat. Por edhe këtu, siç ndodh rëndom, ato u rreshtuan në insikamet përkatëse duke e detyruar edhe njëherë publikun që do të informohet ti dëgjojë të gjitha palët e në fund të mbërrijë vetë te konkluzionet.

Advertisement