✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Paketa e re për shkollat, nga kamerat inteligjente te “zero toleranca”

Siguria, shëndeti, mirëqenia dhe ushqimi i fëmijëve në shkolla do të trajtohen përmes një qasjeje të përbashkët mes disa institucioneve shtetërore. Paketa Kombëtare e Sigurisë në Shkolla u prezantua në Kamëz, gjatë një takimi me nxënës, mësues dhe prindër.

Në prezantimin e paketës morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli.

Paketa përcakton ndarjen e përgjegjësive mes institucioneve. Policia e Shtetit do të fokusohet te siguria dhe mbrojtja e fëmijëve, Ministria e Arsimit te mjedisi shkollor dhe mirëqenia e nxënësve, Ministria e Shëndetësisë te kujdesi shëndetësor, ndërsa Ministria e Bujqësisë te siguria ushqimore.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes oficerëve të sigurisë, mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë dhe strukturave të tjera që veprojnë në shkolla. Sipas saj, synimi është që problematikat që mund të ndikojnë në sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve të evidentohen në kohë dhe të trajtohen përmes një sistemi të koordinuar.

Kumbaro bëri me dije se kamerat inteligjente janë instaluar tashmë në rreth 20 shkolla në Kamëz dhe Tiranë, ndërsa në shkollat e tjera vijon të funksionojë sistemi ekzistues i kamerave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit do të ketë një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë brenda dhe përreth ambienteve shkollore. Ai tha se ndaj veprimeve që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve do të zbatohet qasja e “zero tolerancës”.

Sipas ministrit, objektivi është që mbrojtja e fëmijëve të mos kufizohet vetëm brenda shkollës, por të shtrihet edhe në hapësirat përreth saj.

Një tjetër komponent i paketës është forcimi i komunikimit mes oficerëve të sigurisë, mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë, policisë dhe prindërve. Përmes këtij bashkëpunimi synohet identifikimi sa më i hershëm i situatave që mund të ndikojnë në sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve.

Paketa synon kështu të bashkojë në një sistem të koordinuar masat për sigurinë fizike, kujdesin shëndetësor, mirëqenien psikologjike dhe sigurinë ushqimore të fëmijëve në institucionet arsimore.

Advertisement