Politike
Partia Socialiste te siguroje te ardhmen demokratike te vendit duke u terhequr e pritur Opinionin e Komisionit te Venecias
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në vijueshmëri i ka bërë thirrje aktorëve kryesorë politikë që të shfaqin domosdoshmërisht maturi në ndërmarrjen e reformës së kuadrit ligjor zgjedhor.
Ndonëse ka shprehur dhe ka rezerva të shumta për procesin reformues të kuadrit ligjor zgjedhor të ndërmarrë, me synimin për arritjen e ri-stabilizimit të jetës parlamentare në vend, KRIIK ka nxitur fort aktorët politikë për dialog gjithëpërfshirës në gjetjen e dakordësisë së nevojshme që do t’i paraprinte një procesi zgjedhor të pranuar nga garuesit.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij se tashmë të gjendur në periudhë zgjedhore, në situatë të rënduar të shëndetit publik dhe me një Komision Qendror Zgjedhjesh të sapokonstituuar, ndryshimet legjislative për çështje thelbësore zgjedhore pa dakordësi politike janë fatale për ecurinë normale demokratike e politike në vend.
KRIIK shfrytëzon rastin e kthimit të kësaj pakete amenduese në Kuvend për t’i bërë thirrje aktorëve politikë që të dialogojnë dhe gjejnë sa më shpejt dakordësinë për përmbylljen e procesit reformues. Madje, kjo dakordësi është e nevojshme të vijojë në ndjekjen dhe në asistimin e KQZ-së të sapokonstituuar për të përballuar sfidat jo të vogla të cilat i janë ngarkuar nga legjislatori. Termat kohorë dhe konteksti i emergjencës së shëndetit publik, përpos të tjerash, po rëndojnë gjithmonë e më shumë në mbarëvajtjen e përgatitjes së procesit zgjedhor të 25 prillit 2021.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese si një mekanizëm thelbësor garantues për respektimin e lirive e të drejtave të qytetarëve, si dhe të garancive të tjera kushtetuese, dikton akoma më shumë mosndërmarrjen e një procesi amendues të Kodit Zgjedhor pa dakordësi politike. Një proces i tillë më shumë se sa ka lidhje me fatin e zgjedhjeve pasuese, është kritik në pasurimin e precedentëve të rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit.
Mazhorancat pasardhëse mund të përvijojnë përsëritjen e këtij precedenti duke legjitimuar ndërmarrjen e reformave zgjedhore ngushtësisht të njëanshme e rrjedhimisht antidemokratike. Veçanërisht në realitete parademokratike një sjellje e tillë përbën një tjetër hap pas në traditën shtetformuese, duke zhbërë tashmë edhe standardin e mëparshëm të marrëveshjeve të mbyllura bipartizane me qasje të ngushta interesash.
Aktorët politikë, veçanërisht Partia Socialiste si forcë qeverisëse dhe me pushtet të pakufizuar, duhet të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen demokratike të vendit duke siguruar tërë garancitë e nevojshme për të gjithë aktorët që duan të marrin pjesë në zgjedhje.
Praktika gati 30 vjeçare e vuajtjes nga mospranimi i rezultatit zgjedhor nga palët pjesëmarrëse në zgjedhje, duhet të marrë fund.
Pjekuria dhe largpamësia e klasës politike shqiptare, në justifikim dhe përmbushje të angazhimeve demokratike që ka marrë Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, kandidat për në Bashkimin Europian dhe, aktualisht, si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), duhet të sigurojë sa më parë zgjidhjen e këtij ngërçi të panevojshëm politik nëpërmjet një tryeze të vazhdueshme dialogu për të mirën e vendit dhe popullit shqiptar, duke pranuar zbatimin paekuivok të aspiratave kushtetuese dhe jetësimin e sjelljes së plotë ligjore e institucionale, e cila, në mungesë të garantit vendor kushtetues, pranon verdiktin e aktorëve të tretë ndërkombëtarë me potencë, ekspertizë dhe përvojë sikurse është Komisioni i Venecias.
KRIIK shpreh keqardhje që ky mekanizëm nuk u investua më parë nga aktorët respektivë, sikurse KRIIK bëri thirrje që në muajin korrik në nisje të përplasjeve politike për ndryshimet e njëanshme kushtetuese. Megjithatë, edhe tani në afatet kohore të ngushta përkundrejt përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme, konsideron se periudha kohore deri në marrjen urgjente të Opinionit dhe tematika e cuar per interpretim, nuk sjellin ndonjë komplikim serioz, të drejtëpërdrejtë dhe me pasoja të parikuperueshme në ecurinë përgatitore të procesit zgjedhor të nisur. Tërë kjo, përballë kontekstit aktual dhe shmangies së një situate akoma më shumë problematike që mund të përvijohet gjatë apo pas zgjedhjeve të ardhshme.
Në këtë kuadër, nevojitet së pari që Mazhoranca Socialiste të tërhiqet dhe të pezullojë menjëherë shqyrtimin sot në parlament të dekretit të Presidentit, duke treguar lidership, përgjegjësi dhe largpamësi politike, sikurse ka treguar edhe më parë lidhur me çështje të cilat janë marrë në shqyrtim prej Komisionit të Venecias.
Nga ana tjetër, në opinionin e KRIIK, aktorët politikë mund dhe duhet t’i japin jetë menjëherë tryezës së dialogut politik për dakordësimin e qëndrimeve konform praktikave dhe standardeve më të mira ndërkombëtare, pa pritur momentin e publikimit zyrtar të Opinionit prej Komisionit të Venecias.
Në përfundim, sillet në vëmendje të aktorëve politikë se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit, në gjykimin e KRIIK, prekin në thelb reflektimin e drejtëpërdrejtë të votës së qytetarit në mandatin përfaqësues të votuar, duke shkuar kështu në kundërshtim me praktikat e mira të caktuara nga Komisioni i Venecias.
Pa hyrë në një analizë të plotë të gjithë ndryshimeve të bëra, KRIIK sjell në vëmendje shqetësimin madhor të bërë të ditur që në krye të herës për pamundësinë e hapjes së sistemit politik prej establishmentit aktual.
Ndryshimet ligjore të kryera, megjithëse të frymëzuara nën aspiratën për rritjen e mundësisë së qytetarëve për të zgjedhur vetë kandidatët e preferuar, rezultuan në një liri të kufizuar për të zgjedhur veç nga “shportat” elektorale të kandidatëve të paracaktuar nga lidershipi partiak, duke pamundësuar zgjedhjen e garuesve të rinj apo të alternativave të reja politike përtej forcave të establishmentit.
Veçanërisht alarmante në këtë drejtim është pamundësia e garimit të kandidatëve të pavarur që mund të vijnë nga shoqëria civile dhe që mbështeten nga zgjedhësit, ndaj të cilëve në një qasje jo parimore dhe jo kushtetuese iu kërkohet që pavarësisht rezultatit në zonën zgjedhore ku ata kandidojnë, që të mund të përllogaritjen në marrjen ose jo të mandatit, iu duhet të kalojnë pragun prej 1% të votave në rang vendi.
Gjithashtu, theksohet se mekanizimi i kontrollit dhe transparencës financiare nuk është i projektuar për situatën e parashikuar nga ndryshimet e fundit duke shtuar akoma edhe më problematikat e mbartuara deri sotmi. Formula e propozuar e kandidimit pritet të nxisë akoma më shumë garimin ndërmjet dhe brenda vetë partive politike, për rrjedhojë duke rritur dhe veprimtarinë financiare zgjedhore, e cila me ndryshimet e bëra mbetet tërësisht janë kontrollit dhe transparencës, qoftë edhe minimaliste të siguruar më parë.
Tiranë, më 27 Tetor 2020!