Politike
PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen! Manja i ironizon: U ngjallët?
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Kulturës Blendi Gonxhja për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për miratimin e aktit normativ 4.2 milion euro për mbarëvajtjen e koncertit të reperit amerikan, Kanye West.
Reperi amerikan mblodhi më 11 korrik në Tiranë mijëra të rinj, nga 80 shtete të botës, në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të dekadës. Qeveria miratoi 4 mln euro për mbarëvajtjen e koncertit, duke thënë se anulimi i tij do ishte imazh i keq për vendin, ndërsa ekonomia e vendit do të gjeneronte deri në 100 mln euro.
Opozita reagoi ashpër duke vënë në dukje se financimi i qeverisë për koncertin përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave, dhe një abuzim me Aktin normativ. Në padinë e depozituar në SPAK, ata thonë se fondi rezervë i shtetit përdoret vetëm për raste si fatkeqësi natyrore, përmbytjet, tërmetet, epidemitë apo emergjencat civile dhe nuk mund të përdoret për shpenzime që janë të planifikuara. Ata akuzojnë Ramën dhe Gonxen se kanë cenuar fondin rezervë të buxhetit të shtetit dhe se kanë cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.
Në kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “kuadri ligjor në fuqi ka sanksionuar detyrimin e autoriteteve shtetërore që, në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, të përdorin me eficencë dhe efektivtet burimet financiare shtetërore, duke respektuar parimet e qëndrueshmërisë së financave publike, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë. Në këtë drejtim, Kushtetuta, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ashtu si dhe ligjet e dala në zbatim të tyre, kanë sanksionuar ndalimin e çdo sjellje apo veprimi të institucioneve shtetërore, të cilat cënojnë në vetvete Buxhetin e Shtetit, lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e palëve në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht nëse përdoren ose jo për qëllime publike. Rezulton se mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile. Në rastin konkret, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore. Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.”.
“Nga sa më sipër, është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar neni 258 i Kodit Penal.” – thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK.
I menjëhershëm ishte reagimi i socialistëve përmes deputetit Ulsi Manja, i cili me ironi shkruan se PD qenka ngjallur.
“Partia Demokratike qenka ngjallur! Po çoka në SPAK Kanye West-in dhe mirë e bën. Po nuk e kuptoj pse kanë shkuar deri te Kanye, se ai i shkreti në Kashar këndoi, kurse bulevardin PD-së ia kanë marrë këngëtarët popullorë! Po nejse, rëndësi ka që u ngjall PD-ja dhe tani duhet të çojë në SPAK edhe Albanian Files, se nuk i lihet ajo kauzë e madhe Gonit dhe Tikut”, shkroi Manja.
Edhe Qëndresa Qytetare i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për të ushtruar kontroll mbi përdorimin dhe administrimin e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e koncertit të Kanye West.


Kallëzimi i PD