Bota
Përparim në bisedime/ SHBA dhe Iran drejt marrëveshjes historike
Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë bërë përparim të dukshëm në bisedimet e zhvilluara të martën, duke iu afruar një marrëveshjeje kornizë për t’i dhënë fund konfliktit, raportojnë burime amerikane të cituara nga Axios. Ndërkohë, SkyNews bën të ditur se delegacionet e të dy vendeve pritet të takohen sërish javën e ardhshme në Islamabad.
Sipas raportimeve, SHBA-të dhe Irani, me ndërmjetësimin e Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, po përpiqen të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura përpara afatit të armëpushimit që skadon më 21 prill.
Në këtë kuadër, një delegacion pakistanez i drejtuar nga Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Asim Munir, mbërriti në Teheran për bisedime me zyrtarët iranianë, duke shtuar përpjekjet diplomatike për arritjen e një kompromisi.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se marrëveshja nuk është ende e garantuar, për shkak të dallimeve të rëndësishme mes palëve. Sipas tyre, ekipi negociator i Presidentit Donald Trump, i përbërë nga Zëvendëspresidenti Vance, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Whittock dhe këshilltari i lartë Jared Kushner, ka vijuar kontaktet intensive me iranianët dhe ndërmjetësit përmes telefonatave dhe shkëmbimit të propozimeve.