Connect with us

Bota

Përplasje e re Rusi-Britani/ Moska: Londra po përshkallëzon luftën, do përgjigjemi

Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar për pasoja, pasi Moska pretendon se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur nga Ukraina në sulme ndaj objektivave në territorin rus.

Ambasada ruse në Londër akuzoi Britaninë se po zgjedh “qëllimisht përshkallëzimin” e konfliktit dhe e cilësoi Londrën si bashkëpunëtore të sulmeve ukrainase.

Sipas deklaratës së Moskës, sa më e madhe të jetë përfshirja britanike në luftë, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë Britania.

Londra, nga ana tjetër, ka mbrojtur mbështetjen për Ukrainën. Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kievit dhe t’i sigurojë pajisjet e nevojshme për mbrojtjen ndaj agresionit rus.

Sipas raportimeve, dronët britanikë janë prodhuar nga dy kompani në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë përdorur kundër objektivave ushtarake dhe industriale në Rusi, përfshirë rafineri dhe qendra magazinimi.

Paralajmërimi i Moskës vjen pas një serie sulmesh masive ukrainase me dronë. Autoritetet ruse raportuan se qindra dronë u drejtuan gjatë natës drejt rajonit të Moskës, ndërsa mbrojtja ajrore pretendoi se një pjesë e madhe e tyre u rrëzuan.

Në të njëjtën kohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.

Britania ka rritur ndjeshëm ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë edhe një numër të madh dronësh, mes tyre pajisje me rreze të gjatë veprimi.

Paralajmërimet e fundit të Moskës shënojnë një tjetër përshkallëzim të retorikës mes Rusisë dhe vendeve perëndimore që mbështesin Ukrainën dhe rrisin shqetësimet për zgjerimin e përplasjes përtej fushëbetejës ukrainase.

Advertisement