Aktualitet
Pezullim në publik, negociata në prapaskenë/ Çfarë zbulon Dede Prenga për SHBA-në dhe Iranin
I ftuar në emisionin “Tik Talk” në NTV, në një intervistë me moderatoren Grisela Zendeli, gjenerali Dede Prenga analizoi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke kundërshtuar pretendimet për një ndërprerje të plotë të komunikimit mes dy shteteve.
Sipas Prengës, megjithëse mediat iraniane kanë raportuar për ndërprerje të kontakteve, në praktikë kanalet e komunikimit kanë mbetur funksionale përmes ndërmjetësve dhe aktorëve rajonalë. Ai theksoi rolin e Katarit, Pakistanit dhe përfaqësuesve të besuar të administratës amerikane, të cilët, sipas tij, kanë vijuar angazhimet diplomatike në funksion të procesit negociues.
Gjenerali nënvizoi se deklaratat kontradiktore të palëve përbëjnë pjesë të strategjive politike dhe diplomatike, ndërsa situata faktike tregon se komunikimi nuk është ndërprerë në asnjë moment në mënyrë të plotë. Sipas tij, vendimi i Iranit për të pezulluar bisedimet lidhet me zhvillimet e fundit në rajon dhe me veprimet ushtarake të Izraelit në Liban, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në klimën e dialogut.
Ai vlerësoi se, pavarësisht tensioneve dhe retorikës publike, vazhdon të ekzistojë vullnettitullin nga të dyja palët për të ruajtur të hapur mundësinë e negociatave dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.