Thinking ...
Connect with us

Kosova

Richard Grenell nuk kursen Evropën pas vendimit të Hagës: Ky është turp dhe një tjetër njollë për ju

Përplasja politike rreth vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë është zhvendosur edhe në Bruksel.

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e cila pas vendimit të Hagës kërkoi respektimin e aktgjykimit, duke theksuar pavarësinë e gjykatës dhe të drejtën e të dënuarve për apel.

Grenell ka kundërshtuar publikisht këtë qëndrim.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka kritikuar kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe mënyrën se si, sipas tij, po funksionojnë institucionet evropiane të drejtësisë.

“Jo. Të mbash dikë në burg për 6 vjet për diçka që pretendohet se ka ndodhur 25 vjet më parë, është e turpshme”, ka shkruar Grenell.

Ai e ka zgjeruar kritikën duke kërkuar reformimin e institucioneve dhe politikave evropiane.

“Kjo nuk është drejtësi; është aktivizëm i elitave”, ka deklaruar Grenell, duke e cilësuar procesin një tjetër njollë për Evropën.

Në reagimin e tij, Grenell shkon edhe më tej, duke kërkuar ndërprerjen e financimit për gjykata që ai i cilëson si “radikale”.

Deklaratat vijnë menjëherë pas qëndrimit të Marta Kos, e cila kishte theksuar se Gjykata Speciale është e pavarur dhe se vendimi i saj duhet respektuar, ndërsa kujtoi se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar pasi palët mund të apelojnë.

Përplasja mes dy qëndrimeve e rikthen në qendër debatin ndërkombëtar mbi Gjykatën Speciale, kohëzgjatjen e procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe mënyrën se si institucionet evropiane dhe amerikanët e shohin drejtësinë në rastin e Kosovës.

Ndërsa procesi pritet të vijojë në shkallën e apelit, reagimi i Grenell tregon se vendimi i Hagës tashmë është kthyer edhe në një çështje të debatit të fortë politik ndërkombëtar.

Advertisement