Kosova
Beteja nuk është mbyllur ende/ Prokurorja West ngul këmbë te 6 akuzat e rrëzuara nga Haga
Rrëzimi i akuzave për krime kundër njerëzimit nuk e ka mbyllur betejën juridike në Hagë.
Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar do ta analizojë me kujdes të gjithë vendimin, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime.
Trupi gjykues i shpalli katër ish-drejtuesit përgjegjës për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte një sulm të përhapur ose sistematik të drejtuar ndaj një popullsie civile si të tillë.
Megjithatë, sipas vendimit, katër të akuzuarit u gjetën penalisht përgjegjës për ndalim dhe arrestim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Gjykata konstatoi përgjegjësi për ndalimin e të paktën 385 personave, trajtimin mizor të të paktën 49 personave, torturën e 303 personave dhe vrasjen e të paktën 96 personave.
Për këto vepra, Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burgim, Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Në total, dënimet arrijnë në 81 vite.
Në reagimin e saj, Kimberly West e cilësoi aktgjykimin si të rëndësishëm për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Ajo theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në apo luftën për pavarësinë e Kosovës, por ka ndjekur përgjegjësinë penale individuale të personave të akuzuar.
Sipas West, disa individë kanë shfrytëzuar rrethanat e luftës për të kryer krime të rënda dhe përgjegjësia për këto veprime, sipas saj, u atribuohet individëve dhe jo vetë luftës për pavarësi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet tashmë të shqyrtojë në detaje arsyetimin e trupit gjykues, përpara se të përcaktojë hapat e mëtejshëm juridikë.
Vetë aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankimi, çka do të thotë se beteja gjyqësore për katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk ka përfunduar ende.