✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Referendum për Parkun Rinia? PD depoziton kërkesën në KQZ

Një komitet nismëtar ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për zhvillimin e një referendumi vendor për ndërtimin e një kulle në Parkun Rinia në Tiranë.

Nisma është paraqitur nga drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, anëtari i Kryesisë së PD-së, Dorjan Teliti, dhe sekretari për Aksionin Qytetar, Erges Eskiu. Ata i kërkojnë KQZ-së nisjen e procedurave dhe pajisjen me formularët për mbledhjen e firmave të nevojshme për referendum.

Sipas argumentimit të paraqitur në kërkesë, ndërtimi i një godine të lartë në zonën e Parkut Rinia mund të ketë ndikim në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të kryeqytetit.

Pas depozitimit të kërkesës, përfaqësuesit e komitetit nismëtar thanë se vendimmarrja për këtë projekt nuk duhet të mbetet vetëm në duart e institucioneve, por duhet t’u lihet qytetarëve përmes votës.

Jamarbër Malltezi e cilësoi Parkun Rinia si një nga hapësirat e gjelbra të mbetura në Tiranë dhe tha se qytetarët duhet të vendosin nëse preferojnë ndërtimin e një tjetër kulle apo ruajtjen e parkut.

Dorjan Teliti tha se nisma lidhet me mënyrën se si zhvillohet urbanistikisht kryeqyteti dhe me të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrjen për hapësirat publike.

Ndërkohë, Erges Eskiu u ndal te zhvillimi i kullave të reja dhe nevojat infrastrukturore të Tiranës, duke përmendur transportin, furnizimin me ujë, kanalizimet, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra.

Kërkesa tashmë pritet të vijojë me procedurat pranë KQZ-së. Nismëtarët synojnë mbledhjen e firmave të nevojshme për të çuar përpara procesin e referendumit vendor, ku qytetarët e Tiranës do të pyeteshin për ndërtimin e kullës në Parkun Rinia.

Advertisement