Politike
Reforma dhe digjitalizimi, Demo vendos prioritetet për bashkitë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi ekipin e ri drejtues që do të ndjekë zhvillimet dhe reformat në pushtetin vendor. Në këtë strukturë janë emëruar Oltjon Muzaka, në detyrën e zëvendësministrit me përgjegjësi për çështjet e pushtetit vendor, dhe Anxhela Paparizo, drejtoreshë e re e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Gjatë prezantimit, ministri Demo u ndal te sfidat me të cilat përballet pushteti vendor dhe kërkoi një ritëm të ri pune, me fokus te reformat në proces dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët.
Ndër prioritetet e përmendura janë përmbushja e detyrimeve që lidhen me Kapitullin 22 të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, digjitalizimi i shërbimeve, forcimi i kapaciteteve të bashkive dhe rritja e efikasitetit të administratës vendore.
Demo theksoi gjithashtu nevojën që programe të tilla si Paketa e Maleve dhe Rilindja Urbane 2.0 të përkthehen në rezultate konkrete në territor, me synim krijimin e mundësive të reja për komunitetet dhe zhvillimin e qyteteve dhe zonave rurale.
“Na duhet koordinim më i fortë, lidership dhe angazhim maksimal nga i gjithë ekipi”, u shpreh ministri Demo, duke vendosur si objektiv një pushtet vendor më të aftë, modern dhe më pranë qytetarëve.