Connect with us

DOSSIER

‘Rexhep Gocin e qëlluan me breshëri automatiku’, rrëfimi i ish-të dënuarit

Muharrem Xhydollari (Hudenishti) me origjinë nga Pogradeci, ish-i persekutuar, i përndjekur dhe i burgosur prej komunistëve me 9 vite në burgun e Spaçit, me 5 familjarë të pushkatuar dhe i dënuar me 5 vite internim, pas lirimit nga burgu, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, persekutimin personal dhe familjar, histori rrëqethëse të burgut të Spaçit, njohja me klerikët dhe elitën intelektuale të kombit, si Imzot Zef Simoni, Imzot Ernest Troshani, Dom Mark Hasi, At Zef Pllumi, Visar Zhiti, Eugjen Merlika, Dine Dine, Lek Mirakaj e të tjerë. Me Muharrem Xhydollarin (Hudenishti) bashkëbisedoi gazetari i “Dielli”-t, Sokol Paja.

Dëshmia e Muharrem Xhydollarit: “Si u persekutuam nga komunistët”?

Ndaluan pranë meje. “Ju jeni Muharrem Xhydollari”? Po, -u përgjigja. “Do të vish me neve, -foli njëri prej tyre, – jemi Dega e Brendshme”. Nuk fola, u ula në sediljen prapa të “Xhip”-it, në mesin e dy civilëve dhe pa folur fare ndaloi në hyrje të fshatit tim. Ai që rrinte në vendin e parë të makinës, hapi xhamin dhe pyeti një person që u ngjante atyre shoqëruesve të mi. “Hë, filluan”, -tha ai. Mori përgjigjen; “po”. (Bëheshe fjalë për kontrollin e banesës time).

Atëhere ata të dy që ishin anash meje, nxorën prangat dhe më thanë me zë shumë të butë: -“Je i arrestuar”, dhe m’i lidhën duart para. Më zgjidhën kur më futën në dhomën e izolimit. Më morën pas dy javësh në pyetje. Kjo vonesë shpjegohej se mbas arrestimit, mblidhnin denoncimet. Hetuesi më dha të lexoj urdhrin e arrestit. E lexova, ishte urdhri i Prokurorit të Përgjithshëm. –“Kaq për sot”, – tha hetuesi. Ai bëri prezantimin e tij: -“Jam Ferit Sula, tha”, dhe më dorëzoi tek përgjegjësi i burgut.

Hetuesia në dy faza

Hetuesinë do ta ndaja në dy faza. Emri i xhelatit tim që e ju thashë pak më lart, vetëm njeri nuk mund të ishte. Por për fatin tim, ai nuk qëndroi shumë në Pogradec, dhe shkoi me ngritje në Tiranë (thonë se sot është rezident në Gjermani, si azilant politik). Atë e zëvendësoi Hektor Shehu (tepelenas), mësues kishte qenë profesioni i tij. Ai me pak specializime, kishte përfituar profesionin më të ndyrë në botë, atë të xhelatit.

Por ai nuk u tregua i tillë, nuk preferoi të më keqtrajtonte, përveç prangave dhe birucës. –“Ti nuk mund të dalësh i pafajshëm, – më tha, – sepse rrethanat tuaja familjare, nuk të favorizojnë aspak. Je ky që je, prandaj je i fajshëm”. “Ti, -vazhdoi ai, – të kap ligji i parandalimeve të krimeve në fuqi, që shpjegohet me nenin e agjitacionit e propagandës”. Ai fare shkurt mbylli dosjen dhe e çoi për gjykim.

Izolimi në birucat e hetuesisë

Në dhomën e izolimit, u riktheva mendimit për të parë historinë time dhe arsyeve pse unë isha paracaktuar për t’u dënuar. Unë u linda dhe u rrita në një familje që kanë nxjerrë njerëz me ndikim politik, në interes të fateve të atdheut që nga Rilindja, Pavarësia, Lufta e Parë Botërore, formimi i Shtetit Shqiptar dhe Lufta Nazifashiste. Urrejtja anti-sllavo-komuniste që familja ime kishte, bëri që të pësojë shkallën më të lartë të persekutimit.

Si i tillë, isha paracaktuar për t’u dënuar. Ishte një periudhë që individë, të cilët ishin në shënjestër të organeve të Sigurimit, i thërrisnin në tubime masive në kooperativë bujqësore, ndërmarrje shtetërore, ferma, fshatra, etj., dhe ju bëheshin kritika apo demaskime politike diskriminuese. Kjo për terror në popull.

 

Por dhe gjyqet eksperimentale, këtë qëllim kishin. Unë do gjykohesha në fshatin tim. Salla e gjykimit mbeti me shumë pak fshatarë. Morën maturantët e gjimnazit dhe i futën në sallë. Ata sapo më panë mua të prangosur dhe të shoqëruar me policë, ikën dhe nuk qëndruan në gjykimin tim. Vetëm dy tre persona të autorizuar u ngritën dhe folën kundër meje, duke thënë vetëm se unë, isha biri i një familjeje, që nuk ishte pajtuar me politikën komuniste dhe si i tillë duhet të dënohesha.

Disa kuadro të fshatit folën, mbase dhe për të mbrojtur veten, se nuk dinin gjë që unë kisha bërë agjitacion e propagandë. Se unë kisha folur pro Beqir Ballukut, dhe Petrit Dumes, me të cilët neve i kishim ndarë punët që nga 1944-a. Pse unë kisha folur se; fusha e Kosovës ishte e madhe dhe shumë pjellore! –“Ky qen bir qeni, – tha dëshmitari, – pse nuk thoshte për fushën e Myzeqesë dhe atë të Korçës, që janë hambarët e Shqipërisë, por fliste për Fushën e Kosovës, që janë revizionistë”?!

Ja kjo ishte logjika që më quajtën mua fajtor dhe më dënuan me 10 vjet heqje lirie. Dhe disa fragmentet e tjera që plotësonin dënimin maksimal, për agjitacion dhe propagandë. Por ka dhe diçka që të çudit, sa mbaroi gjykimi, hetuesi erdhi në dhomën e izolimit dhe më tha: -“E more vesh sa u dënove”? -Po, i thashë, 10 vjet.

-Më pak do të dënoheshe, tha ai, por fshati të rëndoi më shumë. –“Po fshatarët nuk folën keq për mua”, i thashë. -Po pikërisht se nuk folën keq, pa more maksimumin, se po të flisnin keq ata, do të kishte dënim më të ulët. Kjo do të thoshte se sa më shumë të të donte populli, aq më shumë të dënonte partia-shtet…!

Me Dom Mark Hasin dhe djalin e Petro Markos

Ditën që shkova në “Kaush” –(Burgu 313 në Tiranë), po atë ditë erdhi dhe Jamarbër Marko (Madu), djali i shkrimtarit Petro Marko, i dënuar. Me atë kaluam së bashku një kohë jo shumë të gjatë e, formuam shoqëri. “Kaushi” ishte plot me të burgosur. Kishte dhe të ardhur nga Kamp-Burgu i Ballshit. Dom Mark Hasi, orator i madh i kishave katolike në Shqipëri dhe i tillë ishte.

Zëri i tij kumbues tingëllonte, si kambanat e hershme të kishave, ai të tërhiqte dhe të bënte për vete. Na jepte këshilla dhe leksione të shkurtra, plot moral. Për shkak të moshës së tij, unë dhe Madua, futeshim në garë se kush mund t’i shërbente më shumë atij. Ai shkoi të vazhdonte vuajtjen e dënimet në Ballsh. I dhashë një palë çorape leshi, t’ja jepte babait tim atje, që vazhdonte të vuante 23 vite pa ndërprerje.

Burgu i Spaçit një fantazmë e llahtarshme…!

Tashmë vendi ku do të vazhdojë dënimi, aplikohej dhe puna e detyruar. Ishte miniera e Kamp-Burgut të Spaçit, Mirditë. Porsa zbrita nga auto-burgu, pashë një vend fantazmë, që as fantazitë hollivudiane nuk mund të improvizonin një skenë të ngjashme llahtarë për filmat e tyre. Vend mostër, ku parashikohej dhe mos dalja gjallë prej aty! Kjo sepse, emrat e të sapo arrestuarve politikë vijëzoheshin me vijë të kuqe në regjistrat e gjendjes civile.

Demagogjia komuniste, e quante Spaçin, “Kamp-rehabilitimi”. Mjetet e rehabilitimit, ishin: uria, puna rraskapitëse, biruca dhe izolimi, përmes të cilave të dënuarit, duhej të arrinin e ta çmonin diktaturën. Vetëkuptohet: jo vetëm të të rrah, por dhe s’të lë të qash.

Kampi gjendej i futur mes grykës së Spaçit, në faqen lindore të një shpati të ngushtë, në fundin e të cilit gjarpëronte një përrua, me ujë si acid me ngjyrë okër në të jeshiltë, që do t’i përshtatej ferrit.

Në ato godina, nuk të besohej se banonin 1.200 vetë. Në çdo 8 orë që quheshin turne, vargu i të dënuarve, ishte i pambarimtë. Ku vinin gjithë ata njerëz të shpërfytyruar?! Dilnin nga ky kafaz telash hermetik, e merrnin rrugën në një malore shumë të thyer, për t’u futur në galeritë e zeza të piritit dhe bakrit. Përshkrime për këtë vend vuajtje, kanë bërë dhe shumë pena të tjera, dhe nuk dua të zgjatëm.

Komunistët bënin terror, kush vriste shpërblehej me leje

Mbamendja ime, nuk shkëputet nga tre-katër episode fare të veçanta për mua, mbasi kam asistuar vetë. Mbeten të paharruara. Ekzekutimi me armë zjarri, i Miho Shëngjergjit, nga rrënjët e rrethimit, ishte i pabesueshëm. Miho ishte i moshuar dhe nuk mund të kalonte telat me shumë rrethime. Ata e vranë në kamp, brenda rrethimit. Por një shqetësim të tillë, të dënuarit e Spaçit e hoqën pak javë përpara.

Kur rojet e rrethimit, kishin qëlluar të dënuarin Alem Luzi nga Kanina e Vlorës. Alemin, hetuesia e kishte çuar në atë fazë, sa ai nuk mund t’i rezistonte qëndrimit në këtë kafaz. Rexhep Goci nga Tropoja, duhet të kryente edhe 11 ditë burg, për këtë nuk e kishte kapur amnistia e viti 1982. Ai u caktua të punonte në zonën e dytë. Rojet e rrethimit, e qëlluan me breshëri automatiku, jo në zonën e ndaluar.

Roja që qëlloi, u shpërblye nga komanda me leje për të shkuar pranë familjes, por mësuam me vonë nga librazhdasit, se mbas vitit 1990, ai drejtoi një seksion të Partisë Demokratike. Në javën e parë të qershorit, na ra të punonim turnin e tretë, grupi i Frederik Tarrellit, me Luc Vukën e Arben Dilën, punonin në një front që rrezikohej jeta e tyre, nga koha në kohë. Dhe ashtu ndodhi. Mali u shemb, Frederiku shpëtoi me pak lëndime, Arben Dila përfundoi në spital, nga ku doli i shëruar.

Ndërsa Luca, i dashuri dhe i dhimbsuri ynë, mbeti aty nën mal, ku eshtrat e tij, do të vijë një ditë, të dalin si filiz i një përmendoreje, e cila do tu bashkohet përmendoreve të shokëve tanë, që ju mor jeta nga diktatura komuniste. Në kamp burgun shfarosës Spaç, Mirditë, Luc Vuka, ky djalosh i Malësisë së Madhe, luftoi deri ditën e fundit.

Me armën e tij që ja kishte falur zoti (sarkazmën) me anën e të cilës për çdo ditë vrau, theri, rropi e poshtëroi diktatorët e sistemit më të urryer në botë, ato komunist e enverist. Për këtë, Luca rreshtohet i njëllojtë, me atë që prodhuan letërsinë, brenda këtij ferri dhe jashtë tij.

Ri-arrestimet e ri-dënimet e të burgosurve

Të paharruara mbeten dhe ri-arrestimet e ri-dënimet që individë fatzinj, nuk do t’i jepnin atë që quhej liri. Se sipas jeshilëve, (ngjyra rrobave të Sigurimit të Shtetit), përbënin rrezikshmëri shoqërore. Duke mos përshkruar hollësi në kujtimet e mia, i rikthehem porsa-ardhjes në këtë kamp shfarosës.

Porsa zbrita nga auto-burgu, veç çfarë përshkrova më lart, pashë një dendësi të madhe të asaj popullsie, që i ishte hequr liria. Njerëz të shpërfytyruar, fytyrat e tyre jo-vitaminoze, të jepnin përshtypjen se ishin jashtëtokësorë, si tablo të shpirtra të vdekur, të Nikolla Gogolit.

Ditët kalonin në ankth, për t’u ambientuar në atë vend dhe me ata njerëz që unë kisha bashkuar fatet, jetën. Njerëz me mosha të ndryshme, me kultura të ndryshme, por edhe të shtresave të ndryshme, që më vonë pashë dhe mësova, që një pjesë e tyre, jetonin me shpresë dhe pjesa tjetër me besim.

Në këtë kamp, ditët kalonin dhe jeta harxhohej, kujtesa e kësaj jete që harxhohej do të luftonte kundër harresës që i duhej sistemit dhe pushtetit katil. Që përjetësohej kjo kujtesë, duheshin luftëtarë inteligjentë, trima e të besuar ndaj njëri-tjetrit, gjë që në këtë dendësi popullate, nuk mungonin.

Ndjeshmëria e atyre mendjendriturve, çdo eveniment që ndodhte me fshehtësi të madhe, e hidhnin në letra, duke shkruar në gjini të ndryshme, në poezi, prozë e të tjera.

Personalitete të botës shqiptare në burgun e Spaçit

E për të mos mbetur pa autorësi, ata gjenin (lulja-lulen), konsultoheshin dhe shkëmbenin shkrimet e njëri tjetrit, pra kështu formoheshin rrethe letrare, që do të përjetonin ditët e vitet e zeza, në këtë vend të zi. Kështu në një grupim, djemtë pasionantë ishin; Zyhdi Morava, Ylber Merdani, Ferit Tahe Shefqet Dobra, Ali Laze, Maks Rakipi, Hasan Bajo, Eqerem Muja, Gëzim Medolli, Pëllumb Lame, Xhemal Mustafaraj, Vilson Zeka, Fatmir Lame.

Por dhe në nivelin e profesionit, jo të pasionit, ishin Visar Zhiti, At Zef Pllumi, Eugjen Merlika, Dine Dine, Lek Miraka, të cilët jo vetëm që nuk harruan ato që shkruan në Spaç-Burg, por shkrimet e tyre, projekti i të cilave ishin që nga ajo kohë e izolimit, qëndruan në një shkallë të lartë të disidencës kombëtare shqiptare.

Shkrimet e autorëve të lart shkruar në Kamp-Burgun e Spaçit, janë një ndërthurje e letërsisë, dhe ngjarjeve reale. Kjo letërsi e shkruar në kafazin hermetik me gjemba, do të duhej që të kthehet në vizionin pamor, nëpërmjet shiritave filmike, ku rolet kryesore, t’i realizojnë artistë, karakteret e të cilëve u shkojnë shkrimeve të autorëve që në librat e tyre, kanë hedhur të vërtetat e asaj jete të hidhur, që ende nuk ka kaluar.

Për mua, veç dënimit me 10 vjet heqje lirie, vështirësi të veçantë më shkaktonin dhe vuajtjet e nënës, vëllezërve dhe motrës, të cilëve ju shumëfishua një luftë klase e tmerrshme, ballas, jo vetëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, por dhe me popullatën e fshatit, rrethit e me gjerë.

Atyre ju ngarkuan një internim të gjatë me vite, dhe i lëvizën disa herë nga vendi i internimit, derisa i degdisën në një mal mes Beratit, Përmetit dhe Tepelenës. Ky ishte një fshat që si i thonë fjalës, hante pula gurë. Jetonin mes masash të rrepta sigurie. Asnjëherë nuk i lejuan që të më vinin në burg, për takim!

Nga At Zef Pëllumi, te Dom Zef Simoni dhe Kardinal Troshani

Pikësynimi kryesor i diktaturës, ishte të luftonin klerikët katolikë dhe institucionet ku ata shërbenin, deri në zhdukje të plotë. Vitet 1975-1985, ishin pak të vona, por në burgun e Spaçit, vuanin dënimin disa nga këto personalitete.

Ata edhe pse i përkisnin moshës së tretë, vazhdonin të qëndronin brenda shpirtit njerëzor. Të përndershmit: Ernest Troshani, Kolec Andoni, Zef Kol Hardhia (Simoni), Zef Ashta, Pader Zef Pllumi, Dom Ndoc Sahatçija. Ata qëndronin shumë afër me bashkëvuajtësit e tyre, ishin të moralshëm dhe jepnin moral.

Nuk përziheshin me biseda që komentohej politika. Përveç Zef Pllumit, që ishte dhe më i freskët në mendje, se kolegët e tij. Ai kontaktonte me bashkëvuajtësit, i studionte ata dhe regjistronte në memorien e tij, atë material që do t’i duheshin për shkrimet brilante, që më vonë do t’i realizonte.

Padër Zef Pllumi edhe kur u lirua nga burgu, nuk i humbi kontaktet me bashkëvuajtësit. Ai, me humanizmin që kishte, u lidh me disa shoqata humanitare që vepronin rreth Vatikanit dhe ju garantoi shokëve të burgut, një shumë financiare modeste.

Kjo ndihmë vazhdoi për disa muaj rresht dhe ishte në kohën më të përshtatshme, për të sapo liruarit nga burgjet komuniste. E shkuara mbetet një kujtesë krimesh që janë zhdukur, vlera kombëtare. I ka kushtuar shumë zhvillimit të vendit tonë.

Mund të them për skëterrën që e kaluam, nuk shqitet nga mendja dhe ëndrrat na shfaqen po për atë kohë. Por sot është për t’u theksuar, vetëm “e drejta” që mbajti të njëjtën linjë edhe në post-diktaturë.

Duhet që komunizmi të lexojë vetveten, sepse njeriu shqiptar dhe mbas komunizmit, trashëgoi një moral të deformuar, atë të mercenarit të cilën vazhdon ta ketë dhe mbas ndryshimeve politike, për këto 30 vjet. Por ne, nuk i takojmë atyre që shpresojnë, por atyre që besojnë. Prandaj dhe shoqëria civile, mbetet e paralizuar. Për më të mirën, besojmë, besojmë, besojmë.

Familja patriotike Hudenishti

Gjyshi im Muharrem Hudenishti, ishte oficer i Mbretërisë Shqiptare, luftëtar i lirisë, i lidhur me rilindasit që nga viti 1905. Ai është ekzekutuar me 23 nëntor 1939, nga fashizmi italian. Babai im Besim Hudenishti, ekonomist i lartë mbaruar në Austri në 1934.

I burgosur politik nga sllavo-komunistët. Kreu 29 vjet e gjysëm heqje lirie, mbas tre muajsh që u lirua, vdiq në internim, në vitin 1982. Babai im Besimi, u dënua nga fashistët në 1941 me 16 vjet burg, një pjesë të dënimit e vuajti në Cambo-Baso në Itali.

Xhaxhai im, Nuri Hudenishti, kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali në vitin 1937. U internua në Ulqin nga fashizmi, një prej 37 vetëve të internuar, për dy vjet e gjysëm. Formoi grupimin politik të Legalitetit. Si drejtues i këtij grupimi për juglindjen e Shqipërisë, bashkëpunoi me Abaz Kupin dhe shumë veriorë zogistë. Aktivitetin e Nuriut kundër nazi-fashizmit, e vërtetojnë misionarët anglezë, që kanë vepruar në Shqipëri, Bill Maklean e David Smajli, në librat e tyre. U pushkatua nga komunistët, në 10 korrik të vitit 1946. /Memorie.al

DOSSIER

“Më burgosën, kur dola vajza që doja më erdhi në shtëpi dhe…”- Rrëfimi i rrallë i djalit të Petro Markos dhe pengu nga burgu i Spaçit për Enver Hoxhën

Nga larg i ngjason në çehre babait të tij. Gjatosh, me lëkurë zeshkane e, flokë të errët. Të gjithë e përshëndesin. Kur dikush s’e ka mendjen, ai i flet përpara: “Ku vete”… ndërsa na kujtohet “Apologjia ime (jetës)” shkruar nga i madhi Petro Marko; “-Ku linde, o i ri? – O jetë, linda në shkreti! – Ku rron dhe ku vete, në ç’dhera e, në ç’dete?!…”. Kemi takuar Jamarbërin, apo Madunë, siç e thërrasin prej vitesh të gjithë, djalin e vetëm të shkrimtarit, të cilësuar “Peshkop i Letërsisë”, Petro Markos. “Pseudonimi”, i ka mbetur nga një vajzë e vogël, e cila s’mund të shqiptonte të gjithë emrin dhe e thërriti; Madu.

Ka hequr shumë sprova të vështira në kurriz. Që kur përfundoi studimet në Gazetari, regjimi e degdisi në burgun e Spaçit. I riu shfaqte haptas kritikat mbi pushtetin popullor, por mbi të gjitha, ai ishte i biri i Petro Markos.

Kur e pyesim Madunë, se; cila ka qenë dita më e keqe e jetës, shprehet për atë ditë kur i ngordhi macja, ndërsa ishte 10 vjeç. E kur habitemi, na kthehet: “Unë e dija se çfarë më priste, isha i përgatitur”, ndërsa na kujton një shprehje të Shopenhauerit: “Ai që është i ri e parandien të ardhmen, ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën, pjesa më e madhe e njerëzve, jetojnë të tashmen”…!

Që në rininë e hershme, dashuria e Madusë ishte dhe vazhdon të mbetet poezia. Dikur i kishin thënë se; poezia nuk të jep bukë, e i riu i ishte përgjigjur se; as buka nuk të jep poezi. Të shkruajë poezi.

Kjo është gjëja që vazhdon të bëjë edhe sot Madu. Ai vazhdon të jetojë në shtëpinë që u lind, aty ku e ka pasur gjithnjë shkrimtari i madh, në bulevardin “Zogu I-rë”, shumë pranë Maternitetit.

Dikur Madu, ashtu sikurse i ati, punonte si gazetar, ndërsa pas kaq vitesh, vetëm shkruan. Te dritaret e drunjta të dala boje e të vjetruara, te dritaret e katit të dytë, që bien mbi rrugicën e “Dervish Hatixhesë”, kalon pjesën më të madhe të ditës, djali i Petro Markos.

Po si ka qenë jeta e tij, problemet e shkaktuara në rini dhe dashuria e humbur, bisedat e fundit me Petro Markon dhe ato që s’i mësoi kurrë i ati…!

Mes intervistës me Jamarbër (Madunë) Markon, ne do të mundohemi të kuptojmë atë që kanë hequr shumë intelektualë shqiptarë, dhimbjen e pashërueshme, që i shkaktoi regjimi aq i egër i Enver Hoxhës.

Cilin virtyt ke trashëguar nga babai yt?

Më ka ndihmuar gjithmonë tërheqjen tek vetvetja, për ta kuptuar. Kur fillova ta kuptoj, mendova se kjo ishte kaq pak, saqë duhet ta filloja jetën, jo më në këtë glob të ndyrë, por në galaktika të tjera.

Çfarë nuk të ka mësuar babai yt?

Petro Marko, s’më ka treguar asnjëherë për torturat e vërteta. Ato i kuptova kur u torturova vetë.

Cila ka qenë biseda e fundit me babanë tënd?

Ka qenë i shtrirë në shtrat, pak ditë para se të vdiste dhe më tha: “O Madu, kujton se po vjen demokracia në Shqipëri”?! Unë heshta, ndërsa ai vijoi…; “Pa kaluar dhe 50 vjet, s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”. Dhe mendoj se realiteti është i tillë.

Në vitet ’90-të, e menduat ndonjëherë të angazhoheshit politikisht?

Do të më duhej shumë kohë ta mendoja këtë, ndërsa për të marrë pjesë, do ishte e pamundur.

Cila ka qenë dita më e keqe e jetës tënde?

Kur isha 10 vjeç, kisha një mace shumë të bukur, e cila shkoi të pijë ujë në një çezmë dhe në atë moment ngordhi.

Kur të pyesim për ditën më të hidhur, ti tregon kur humbe macen. Për ty dënimi s’ishte ditë e keqe?!

Jo, sepse dënimin e prisja. (Dhe më kujtohet një shprehje shumë e vërtetë. Ai që është i ri, e parandien të ardhmen. Ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën. Pjesa më e madhe e njerëzve, jeton me të tashmen). Unë e dija fatin tim. Isha biri i Petro Markos.

Po dita më e bukur?

Mbaja në dorë një trëndafil. Filloi era dhe trëndafili u rrëzua te bluza e një vajze. Ajo me siguri, do të bëhej e dashura ime.

Kështu ndodhi realisht, sepse shumë poetike e thëna?

Unë kam dashur çdo femër që kam takuar e që ndjente më shumë për veten e saj, se për mua. Dëgjo, unë mendoj që; po të biesh në dashuri si fizik, dashuria do të shndërrohet në pleh. Po të biesh në dashuri si mendim, ti do të ngihesh edhe kur të kesh vdekur.

Mund të na flisni më konkretisht, kjo është histori e vërtetë?

Është historia e një vajze, të cilën unë e doja, por e shmangja. Isha rreth të 20-ve dhe më në fund, pas shumë insistimesh i tregova, se po të ishte pranë meje, ajo do të vuante. Ndodhi realisht kështu. Pas disa muajsh më burgosën e, kur dola nga burgu, ajo më erdhi në shtëpi e më takoi. Sigurisht më falënderoi, që e kisha shpëtuar nga vuajtjet.

Pas përfundimit të dënimit në vitin 1978, nuk u orvatën të të burgosnin sërish?

Më kujtohet që rreth vitit 1979, më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme dhe kryetari, pasi bisedova me të, më tha: “Ti vendin prapë në Spaç e ke”. Unë e dëgjova dhe i thashë: “Kujdes ti, se mos të vjen ndonjë kancer në pankreas dhe s’do të dish më, nga të erdhi…”! Ai më nxori jashtë zyrës me të bërtitura. Fati i tij ishte siç e kisha parashikuar dhe teksa nisej në Rinas për t’u kuruar në Francë, u kishte dhënë porosi vartësve, që mua të mos më ngiste më njeri.

Cili është pengu yt?

Të kisha një telefon në Spaç, që të merrja Enver Hoxhën e, t’i thosha, mor ndyrësirë, mor qen…!

Kur erdhe në Tiranë, tentove të bëje atë që s’e bëre në Spaç?

Enveri fshihej nga e gjithë Tirana, kështu që s’kisha shanse…!

Ti mendon se, thellë-thellë, Enver Hoxha ka pasur një dozë pozitiviteti?

Ai ishte mes një grupi studentësh që vinin nga Franca, të cilët u hoqën si marksistë-leninistë dhe s’lanë njeri pa vrarë e shkatërruar, para se ata të vdisnin.

Çfarë të kanë mohuar nga jeta ato vite burgu?

Atëherë isha i ndrojtur dhe më pas kur erdhën gjërat ndryshe, u bëra xhelat i vetvetes.

Çfarë ndjesie të krijojnë ato vite të burgut?

Ndjesia e lirisë në një vend të ndrydhur, është më e plotë se në një vend të hapur. Po të mos kisha qenë i burgosur në Spaç, s’do e kisha kuptuar kurrë, çfarë është liria e vërtetë. Më merr malli ndonjëherë, për galeritë e Spaçit.

Ju jeni i lirë?

Në momentet e ndrydhura e ndjeja lirinë si ndjeshmëri romantike. Ndërsa në momentet më të lira, liria bëhet një “kukumjaçkë”, që i këndon fqinjëve.

Për çfarë të merr më shumë malli?

Më merr më shumë malli për veten time, ashtu siç kam qenë ndonjëherë.

E si ke qenë?

Një krijesë e gurtë që konstaton, por që s’bën asnjë veprim.

Cilët janë shokët e tu?

Nuk e di.

Kë ke pasur shok atëherë?

Shoku im i vetëm, është njerëzimi dhe natyra. Shoku im i humbur, është qielli dhe pabesia. Shoku që rri pranë meje, është dështimi dhe fitorja. Po të gjenden shokë të tjerë, do të isha larguar nga kjo botë.

Keni botuar dy libra me poezi. Keni ndonjë plan të afërt, për të botuar një libër të tretë?

Kam botuar librin e parë “Rastësisht me dashje”, më 1995, dhe “Pro nobis”, më 2001. Tani kam gati një tjetër libër, me poezi.

Ke provuar ndonjëherë të tentosh të shkruash prozë?

Sigurisht, por mendoj se me prozë, bëhesh shumë i vogël. Për mua poezia, është hapi i parë drejt afërsisë me gjithçka.

Ke frikë nga vdekja?

Dy herë më shumë dhe një herë më pak.

Pse?

Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi.

Nëse do të zgjidhje kohën kur do jetoje, do preferoje mesjetën, fillimet e shekullit XX-të, apo të ardhmen?

Do vendosja të jetoja në periudhën para ardhjes së njerëzimit. Do të isha një pemë pa lule, pa frutë, do të kisha vetëm pak qiell.

Ku beson?

Po të besoja te gjërat që dallohen, do të isha i mefshtë. Po të besoja, do qëndroja mbi një trung në oqean, për të pritur kontaktin me ishullin më të largët të botës.

Jamarbër Marko: “Poeti nuk di të kthehet”

Ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, poeti Jamarbër Marko. Bir i shkrimtarit Petro Marko dhe i piktores Safo Marko, la pas fletore të tëra me poezi të pabotuara, të cilat e motra Arianita Marko, kishte vendosur t’ia botonte në një përmbledhje.

Vetëm pak para se të ndërronte jetë, mesnatën e së premtes, ai i tha se e kishte vendosur titullin: “Nuk di të kthehem”. Një titull që vjen si një mesazh, si varg i fundit poezie për të gjithë

Ajo zbriti në fund të shkallëve të ngushta. Njerëzit përreth i bënë vend të kalonte. Qëndroi e vetme dhe e priti të vëllain. Për të fundit herë e përcolli. Ai doli nga shtëpia dhe më nuk do të kthehet. Vëllai, Jamarbëri nuk jeton. Motra, Arianita e përqafoi, e puthi, e përkëdheli, foli dhe u përkujdes për të fundit herë.

Mesnatën e së premtes, (diçka më shumë a më pak), ai u largua nga kjo botë. I heshtur. Ashtu e fortë, ajo nuk bëri zë. As nënës së sëmurë nuk i tha. Ia fshehu Safos, vdekjen e të birit. Por nëna diç ndjeu.

Me gjithë sëmundjen, nxori zë e tha: “Zot, si do ta gdhijmë këtë natë, deri sa të vejë ora 3 (e pasdites)”. E paratha Safoja, orën kur do e përcillte për në banesën e fundit birin, dhe Nita e respektoi vendimin e saj.

“E shkreta unë, e kam sëmurë Madunë”… ajo e ndiente, edhe pse të gjithë heshtën para saj. Safo Marko, vazhdon të qëndrojë shtrirë në shtrat dhe në ndonjë çast kthjellimi ndoshta edhe është çuditur, sa shumë njerëz hyjnë e dalin në dhomën e saj. Ndoshta edhe e ka kuptuar, se diçka nuk shkon me Madunë e saj…?!

Miqtë e të afërmit, vetëm ata venë e vijnë në familjen Marko. Por janë të paktë. E çuditshme se si pret që kur largohet nga jeta një njeri, një bir arti, një poet, artist si ai, pret që njerëzit të derdhen lumë e që Bulevardi “Zogu i Parë”, deri te shkallët e shtëpisë ku banoi shkrimtari Petro Marko, të jenë të mbushura plot. Mungojnë njerëzit e kulturës. Ata që emrin e kësaj familje, e zënë në gojë kur ua do puna të mbahen me të madh e që i harrojnë sa kthejnë krahët.

Sot ata janë kaq të paktë, sa të zë trishtimi. Është një trishtim që i shtohet mortit që ka rënë, zymtësisë së kohës, e asaj të apartamentit të vogël, të Markove të mëdhenj.

Poeti Xhevahir Spahiu, aktoret Rajmonda Bulku e Yllka Mujo, janë personalitetet e vetme të pranishëm. Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferaj, ka dërguar vetëm një mesazh ngushëllimi, dhe atë përmes zëdhënëses për shtyp…!

Mbi trupin e pajetë të Jamarbërit, në një kurorë me lule të bën përshtypje mesazhi i shkruar në shirit: “Mirënjohje për sakrificën e familjes suaj. Me respekt “˜Bota e luleve’”. Ndonjëherë prej atyre që nuk njeh, vjen edhe respekti më i madh.

Jamarbër Marko u nda nga jeta dje në moshën 59-vjeçare. Vuante poeti, jo vetëm prej sëmundjes, (diagnoza: cerozë në mëlçi), por më shumë prej të kaluarave. Ngulmonte të mos kurohej. Ishte një vetë-dorëzim, për të cilin zor se mund t’ia ktheje mendjen.

Diçka tej imagjinatës, ndoshta kish ndodhur në shpirtin e tij, shpirt poeti, dhe ai nuk kthehej dot më. Iu dorëzua fatit, mendimeve të tij, kështu hoqi dorë prej jetës, apo prej vetes, ku i dihet?! Madu nuk diti të kthehej më.

Me gjithë përpjekjet, as Arianita nuk e ndryshoi dot vendimin e tij. Nuk i mbeti tjetër, veçse ta respektonte deri në fund, t’i qëndronte pranë, se ai ashtu e zgjodhi ta kishte fundin, në shtëpinë e babait, në duart e motrës, pranë nënës së sëmurë.

E patën pyetur një here, në kishte frikë nga vdekja, dhe ai ishte përgjigjur: “Dy herë më shumë dhe një herë më pak. Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi”.

Por dje nuk u zhgënjye, ajo e priti, nuk iku. Madu zgjodhi ta ndiqte pas. E nëse besonte në një botë tjetër, kushedi, ndoshta ka fatin që të paktën tani, të jetë “një pemë pa lule, pa frutë, me vetëm pak qiell”. Të shijojë lirinë, atë që i pat munguar gjatë viteve të burgut në Spaç e, ndoshta edhe gjatë burgut prej së gjalli që përjetoi, ashtu i tërhequr dhe i lënë në harresë.

Ajo qan në heshtje, ashtu siç është mësuar të jetojnë Markot. Edhe britmat i ka të tilla, të heshtura. “Ai ishte vëllai im”, vetëm për të thënë këtë nxori zë.

Si për të thënë se tani e qara ishte e përligjur, se tani mund ta hidhte poshtë petkun e “të fortës” për të shprehur dhimbjen. Ajo i qëndroi pranë deri në fund, ashtu si vetëm një motër që e do shumë vëllain mund ta bëjë.

E me gjithë vuajtjen, prapë e fortë ajo gjen kurajë të flasë për të vëllain, për çastet e tij të fundit e mbi të gjitha për përmbledhjen e fundit me poezi, të cilës pak para se të vdiste, Jamarbër Marko ia vendosi vetë titullin: “Nuk di të kthehem”.

Arianita Marko: “Madu donte të jetonte dhe të vdiste, pa bërë kompromise”!

Znj. Arianita, si ishte gjendja e Jamarbërit, sidomos kohët e fundit?

Gjendja e tij kohët e fundit ishte e mjerë, donte asistencë, donte ndihmë, të cilën unë si motër, ia kam dhënë. I kam dhënë aq ndihmë, sa mund t’i japë një motër një vëllai, që e do shumë. Por ndihmë tjetër, nuk ka pasur. Ai nuk pranonte të kryente vizita mjekësore. Ishte sikur të refuzonte të jetonte, sikur e kishte vendosur fundin…! Sepse ai kishte parë dhe ka parë të gjitha gjërat, që mund të ndodhnin. Madu nuk gënjehej kollaj. Ai donte të vdiste në shtëpi. Unë nuk bëra asgjë kundër vullnetit të tij, e mbajta në shtëpi, i ndjenja afër deri në momentin që ai iku.

Ç’mendonte ai për gjendjen, sidomos të kohëve të fundit të familjes Marko. Çfarë thoshte, gjatë bisedave që keni pasur?

Ne nuk bisedojmë, se s’jemi aq të vegjël, për të biseduar për gjendjet. Ne gjendjet i dimë, sepse prindërit kanë kaluar disa periudha kohe, që janë disa regjime, me disa ndryshime. Ne dimë se si vuajnë njerëzit, se si vuajnë artistët, të ndershmit, të pasurit dhe i pranojmë. Ne dimë të vuajmë dhe të ikim në heshtje. Unë për vete bëra një thirrje, e theva heshtjen dhe nuk pendohem për këtë.

E bëra për të kërkuar ndihmë për këtë familje, që meritonte pak më shumë vëmendje, sepse u ka dhënë shumë njerëzve si familje, si artistë. Ata i deshën njerëzit, jetën, panë zhgënjimet që kërkonin të vërtetën dhe që pastaj…! Kërkova ndihmë jo për veten, por për të mbajtur ata. Erdhi një ndihmë modeste kohët e fundit. Por dashuria ime si motër dhe si nënë për mamanë time, nuk u ka munguar edhe nuk do t’u mungojë asnjëherë. Për vete jam sakrifikuar me gjithë shpirt, për tre artistët që kam pasur në shtëpi.

Madu, siç i thërrisnin të gjithë, në një farë mënyre edhe refuzonte t’i botoheshin krijimet e tij. Përse?

Madu nuk ka dashur të botoheshin shkrimet e tij, sepse ne që fëmijë, jemi mësuar me botimet. Nuk ishim nga ata që gëzoheshin kur botohej diçka për herë të parë, e rëndësishme apo e parëndësishme qoftë. Ne ishim për botime me vlerë. Jo se ai ka refuzuar të botonte, por nuk e di, ndoshta…!

Po. Madu ka lënë pas shumë blloqe me poezi, që them se ndoshta po të jem gjallë, do t’i botoj. Dje (të premten) para se të vdiste, i thashë: Kam vendosur t’i botoj poezitë e tua. I kërkova të vendosnim një titull dhe ai më tha se e kishte një në mendje: “Nuk di të kthehem”. Është një titull që ka shumë krah mendimi. Do të thotë nuk di të kthehem nga vdekja, nuk di të kthehem në jetë, nuk di të kthehem nga fillimi, nuk di të kthehem në shpresë…!

Po kohë më parë, a keni bërë ndonjë përzgjedhje të poezive, që do të donit të botonit?

Nuk kam bërë asnjë përzgjedhje poezish. Kam bërë përzgjedhjen e asistencës mjekësore. Është më njerëzore të përcjellësh ata duke i përqafuar, duke i puthur, duke ndier afërsinë si njeri, se sa një botim. Botimi vjen më pas. Unë i ndjenja afër tim vëllai, si njeri.

A vazhdonte të shkruante gjatë kohëve të fundit?

Kohët e fundit nuk mund të shkruante, sidomos pas aksidentit.

Si ishin momentet e fundit të poetit?

Momentet e fundit të Madus… vdiq një njeri, duke vuajtur shumë. Zgjodhi të vdiste në dorën time dhe unë ia mbajta dorën deri në fund, duke e puthur, duke e përqafuar, duke i shtrënguar dorën, deri në grahmat e fundit. Se ishte më mirë të ndodhte në krahët e motrës, se sa në krahët e çdo njeriu tjetër.

Lexuesi e njeh si poet, bir i shkrimtarit Petro Marko dhe piktores Safo Marko, por si ishte Jamarbëri njeri?

Madu ishte një njeri që vuajti gjatë gjithë jetës. Ishte shumë i veçantë. Ishte një artist i lindur në një familje artistësh. Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë asnjë kompromis.

Continue Reading

DOSSIER

Sekreti i Urës së Zogut që kushtoi më shumë se 680.000 franga ari

Ura që kërkon të jetojë jetën e saj

Markel Baballëku, inxhinier dhe strukturist, njohës shumë i mirë i historisë inxhinierike të Shqipërisë së vjetër dhe të re, ishte i ftuari i mbrëmjes së sotme në Esencë. Ura e Zogut apo ashtu siç njihet ajo ndryshe me emërtimin e saj të parë Ura e Matit ka zënë vend të ngushtë tashmë në kujtesën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Për këtë emision u shfrytëzuan materiale edhe nga arkiva personale e Inxhinierit dhe Profesorit Gjovalin Gjadri.

Eljan Tanini: -Urat ndërtohen nga njerëzit për qindra mijëra arsye. Ndërsa në fund, ato braktisen nga njeriu nga vetëm një arsye. Kjo urë duhet të ishte vendosur dhe stampuar në kartëmonedhat e Shqipërisë, ashtu si edhe kafshët e vendit tonë. Kur them kafshët nuk e kam fjalën për njerëzit. Çfarë është kjo urë për ne?

Markel Baballëku: -Lumi i Matit është një lum që ka krijuar vështirësi ndër vite! Ajo është një urë që lidh veriun dhe jugun. Përpara asaj ure kanë qenë edhe dy të tjera nga Lufta e Parë Botërore. Vitet 20 e shtunan vemendjen njerëzore për një urë të tillë, ishte fondi ZVEA që bëri të mundur ndërtimin e saj. Në atë periudhë janë ndërtuar edhe 6 ura të ngjashme si kjo. U hap një konkurs nga qeveria për këtë urë, ajo ka dosjet më të plota deri në dosjen e zbatimit të saj. Në vitin 1938 kompania italiane “Mazorana & Co ribën disa sistemime. Në dosje gjen projektet e para, përmiresimet e Mazzoranos dhe në fund Emil Mersh.

I kanë dhënë jetë saj ure: Zviceriani i famshëm Erwin Schnitter, Profesori Gjerman Emil Morsch, dhe nga pala shqiptare inxhinieri i ri Gjovalin Gjadri. Gjadri e tregon punën e tij në shumë vlera, si në Moskë dhe në ndërtimin e Urës së Gomsiqes.

Eljan Tanini: –Si është gjendja e urës sot, a i kushton shumë shtetit shqiptar ta ribëjë ashtu siç ishte atë urë?

Markel Baballëku: -Nuk janë të pakta rastet ku koha, një shekull ose 100 vjet është koha që për urat të merren më shumë masa. Shumë ura nuk e kanë patur fatin e saj, edhe asaj i është shembur një hark. Ura ka pasur 6 harqe, sot ka 5 harqe. Harku i gjashtë gjendet në lumë

Eljan Tanini: –A është zënë lumi, devijuar, për të ndërtuar urën?

Markel Baballëku: -Jo nuk është zënë e as devijuar! Lumi është besnik i shtratit të tij, ne kemi ngushtim shtrati nga linja hekurudhure dhe nga rruga e re

Eljan Tanini: -Çfarë ka ndodhur me këmbën e urës, është ngrënë apo ka rënë më poshtë?

Markel Baballëku: -Nuk e gjen dot pa e parë nga brenda këmbën! Faktorët janë disa. Gërryerja e lumit, udhëzimi i lumit, prurjet e mëdha, koha dhe mbase edhe tërmeti i fundit i vitit 2019

Eljan Tanini: –Ura e Zogut, Milotit, Viktor Emanuelit, kemi emër tjetër?

Markel Baballëku: -Është quajtur edhe Ura e Matit, ky është termi i parë.  Ajo mori emrin e Zogut që në ato çaste. Në vitin 1939 ura është quajtur Ura Viktor Emmanuel i III dhe në vitin 1999 ka marrë emrin formal Ura e Matit. Unë nuk e di nëse ka një vendim të ri gjatë viteve 1939-1999 për ndryshimin e emrit të saj. Ura është ndërtuar për më pak se një vit, ka pasur një kohë 3 vjeçare që janë marrë me projektin si fillim, më pas  zbatimi ka qenë më i thjeshtë. Kështu vepron edhe bota, bën më shumë studime si fillim.

Eljan Tanini: –Sigurisht, ashtu si një artist i cili ka kohë qe e mban në mendje idenë e tij, më pas zbatimin e ka shumë shumë më të thjeshtë.

Markel Baballëku: –Koha ka qenë e shkurtër dhe më shumë vlera e kanë krijuar atë urë në një kohë kur prurjet e lumit kanë qenë shumë më të mëdha se sot. Më 13 Mars 2024, në Prishtinë u mbajt një takim përkujtimor për veprën e shkëlqyer të Profesor Inxhinier Gjovalin Gjadrit ku unë bashkë me kolegun Rikard Luka mbajtëm kumtesën: “Ura mbi lumin Mat dhe veçori të ndërhyrjeve riaftësuese në periudha të ndryshme kohore”. Kemi hulumtuar më thellë edhe në shumë dokumenta

Eljan Tanini: -Mund ta quajmë edhe ura me 6 harqe që ka 5 harqe sot!

Markel Baballëku: –Ura është rindërtuar në një fazë të dytë. Çështja ka qenë që të bëhet një urë elegante ku edhe uji të kalonte më lehtë. Një ndër vlerat e saj është edhe pesha e lehtësuar për ti shtuar jetëgjatësinë. Vizatimet kanë qenë tepër të imta në letër. Ura është pasuri tepër e vyer. Janë ndërtuar edhe dy kulla që dikur mbanin teleferikun që shpërndante materialin e ndërtimit. Ura i ka këmbët rreth 10 m të thella.

Ura e Lezhës, unë hamendësoj se është marrë e njëjta urë mëmë në dokumenta dhe e kanë ndërtuar atë në të njëjtën trajtë. Janë pesë ura që ngjajnë me urën mëmë.

Qoftë nga shtypi i kohës dhe nga dokumenta personale të Gjovalin Gjadrit flitet për praninë e Gjovalin Gjadrit në këtë urë.

Eljan Tanini: -Ura mund të shpëtohet kollaj?

Markel Baballëku: -Po, ajo urë ka zënë pak vend në atë element të vetin

Ndërhyrja u nis për tu bërë dhe duhej bërë një ndërhyrje elementare, tani jemi në fazat e ndërhyrjes. Tani është periudha e prurjeve. Ky është një objekt që kërkon profesionalizëm të lartë

Eljan Tanini: -Ku kemi aftësi ne të restaurojmë vepra të tilla si kjo urë, vetëm nëse ngjallet Gjovalin Gjadri me të tjerë!

Markel Baballëku: -Përvoja jonë është e pakët në këtë drejtim, sidomos me ato që kanë ndodhur pas tërmetit. Kjo urë gëzon në veçanti teknologjinë e kohës së saj, ura e parë është ndërtuar në vitin 1928 në Gjermani. Ndërkohë e pa patentuar përpara saj është ndërtuar ura jonë në vitin 1926. Elementët e urës janë beton dhe çelik, as elementët e poshtëm nuk kanë asnjë plasaritje

Eljan Tanini: –Diktatura i ndryshoi gjë urës?

Markel Baballëku: –Janë bërë ndërhyrje të herë pas hershme në urë, 10 të tilla. Vepra ka rezistuar, është mirëmbajtur me ndërhyrjet më të rëndësishme në vitiet 1972-1975. Në mënyrë të plotë më të është marrë Profesor Gjovalin Gjadri.

Harku i fundit i urës ka rënë në ujë, gjermanët që e hodhën në erë janë treguar dashamirës. Harku nuk është ribërë. Dëmtime në këmbët e betonit, dhe ndërhyrjet e Gjovalin Gjadrit janë bërë në vitet 1949-1950.

Eljan Tanini: -Përse ura ka këmbë betoni të mbërthyera me çelik?

Markel Baballëku: -Ulja e urës ka ndodhur në kohë të ndryshme

Eljan Tanini: -Duket sikur urës i kanë dalë dhëmbët dhe rrënjët?

Markel Baballëku: -Ngulej një si krehër me këmbë të ndryshme betoni, këto janë këmbët e urës. Është e hamendësuar që kjo enë ka rënë, është carë poshtë. Fokusi ka qenë dhe është që në mos ta lejojmë atë urë që mos të shkojë më tej.

Eljan Tanini: -Firma që e ka marrë projektin do e lërë të pjerrët apo do e çojë në bazë urën?

Markel Baballëku: –Firma ka për detyrë të sigurojë që ura nuk do të lëvizë më. Ose të ngrihet dhe mëkëmbet e gjithë ura.

Eljan Tanini: -Ura është një trup?

Markel Baballeku: -Ato janë pjesë të pavarura nga njëra tjetra, kjo i ka bërë mirë asaj.

Eljan Tanini: -Kjo urë duhet të jetë simbol kombëtar

Markel Baballëku: -Ne jemi në diskutimet tona që kjo urë mund të gjejë kudo vendin e saj me elementët e saja që ka.

 

Continue Reading

DOSSIER

Shqiptari që u dashurua me vajzën e shokut të ngushtë të Leninit

Drama e ndarjes së çifteve shqiptaro-ruse në kohën kur lidhjet kishin ende pushtetin dhe  sharmin e kohës, përfshiu një pjesë të mirë të familjeve shqiptare duke lënë përgjysmë çdo gjë e duke mos menduar si zakonisht për asgjë, por vetëm për më të keqen. Ishte koha kur partia vendoste edhe për fatin e familjes së re. E vetmja gjë që Partia e Punës nuk bëri dot gjë ishte ndryshimi i gjinisë së fëmijëve nga babai te nëna. Ndiqni më poshtë historinë e jetës së artistit dhe skulptorit Thanas Papa, rrëfyer në Esencë nga artisti dhe skulptori Besart Papa.

Eljan Tanini: Si është historia familjare e babait tuaj dhe çfarë ju ka thënë ai për këtë fakt?

Besart Papa: -Diktatura e ndau babanë nga gruaja ruse dhe vajza e tij! Një skulptor nuk është gjithmonë i aftë të bëjë shumë gjëra!

Eljan Tanini: -Babai juaj vjen nga Berati. Do të flasim për një martesë dhe një jetë të vështirë nën diktaturë. Si i ri, nuk ishte fëmija i një artisti që befas bëhet skulptor deri në kohën kur shkon në Rusi për studime. Si ndodh e gjitha kjo?

Besart Papa: -Nuk ndodhi befas, babai lindi në fshatin Paftal të Beratit. U shpërngulën nga fshati për efektet të luftës. Shtëpitë u dogjën nga lufta. Ai spikati që kishte prirje artistike. Duheshin njerëz për ringritjen e vendit, ai spikati si element i ri i kohës së tij.

Te babai fiton bursën, shkon në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Arteve të Bukura Repin. Rri 6 vite, 1 vit gjuha dhe pesë vite Akademia. Ndoqi edhe një fakultet që kishte të bënte me parqet dhe natyrën. Spikati në Rusi për talentin e tij dhe kërkuan ta mbanin atje. Paralel me to ndoqi edhe një fakultet mjekësie.

Eljan Tanini: -Atje në Shën Petërburg njihet edhe me një vajzë ruse?

Besart Papa: -Unë këto histori i kam të gjalla! Dashuria ishte ndryshe në ato vite, 2/3 e popullsisë në Shën Petërburg ishin zhdukur në luftë. Shteti kishte sjellë njerëz nga rrethinat, leningradasit ishin detyruar të përshtaten me popullin e ri nga rrethinat. Babai thoshte se kur shikoje dikë në rrugë do të përshëndeteshe. Një ditë gjatë rrugës që e bënte shpesh shkëmbehet me një vajzë ruse.

Jeta e Thanas Papës është si një skenar filmi, është reale. Gruaja e babait studionte për gjuhët e lindjes, ajo ishte transferuar me punë për në Kinë. Babai u habit që ajo do të ikte me punë, ajo nuk e kundërshtonte dot, nuk e zhbënte dot këtë gjë.

Shqiptari Thanas Papa, pra im at, ndërhyri që ajo mos të ikte larg tij. Më pas u interesua babai që të rrinin bashkë në një dhomë konvikti , rreth një vit. Babai kthehet në Shqipëri pas studimeve dhe pas një viti merr edhe gruan e tij ruse në Shqipëri me të cilën ishte martuar në Rusi.

Babai kërkonte që gruaja e tij te mos transferoheshe me punë larg tij. Për këtë gjë interesohet në institucionet e kohës dhe i thonë që të duhet një letër që quhet Zaks. Pra që është i martuar. Zaksi ishte akt celebrimi që ai nuk e kishte. Ata u celebruan pa praninë e saj, pa praninë e gruas ruse si fillim.

Ajo u shtang kur e mori vesh këtë veprim! Zaks ishte dokumenti i martesës, edhe ai shtanget kur e merr vesh se çfarë ishte Zaks dhe se çfarë kishte bërë. Ai si burrë i thotë: -Po pse nuk je dakord ti? Jam i thotë ajo, e kështu gjenden të martuar.

Ata ndenjën në Tiranë deri në vitin 1961. Babai luftoi shumë që ajo të rrinte këtu në Shqipëri. Thanas Papa me Valentinën bëjnë edhe një vajzë që quhet Tatjana. Në Tiranë qëndruan në Hotel Vjosa, ishte shtatzënë gruaja e babait në atë kohë qëndrimi në hotel.

Eljan Tanini: -A ishte e vështirë ndarja?

Besart Papa: -Ishte traumatike! Vajza ishte 3 vjeçe e pak, e madhe për të mbajtur mend traumën. Vazhduan komunikimet me letra! Më pas u ndërprenë letrat për shumë arsye. E thërrasin babanë dhe i thonë që të kanë sjellë një kërkese Divorci në Gjykatën e Tiranës. Ai e kupton situatën, diçka nuhat! E firmos letrën duke kuptuar se diçka po ndodhte. Im at me ish gruan ruse u takuan në vitin 1991 dhe këto biseda u bënë atje. Vajza e tyre u rrit, ajo studioi për inxhinieri elektronike dhe kozmosin.

Eljan Tanini: -Babai si jeton gjatë kësaj kohe?

Besart Papa: -Trauma ishte shumë e madhe për disa arsye!

Eljan Tanini: -Unë kam frikë se diktatura do të kthehet një ditë në Shqipëri, jo nga tanët, nga kushtet e atmosferës politike. Edhe lufta është diktaturë.

Besart Papa: –Atij ju prish familja, ishte një i ri që i kapërceu shumë shpejt disa gjëra të jetës së tij nga atje ku lindi deri atje ku shkoi. Thanas Papa im at studion në një nga Akademitë më të mira të botës me medalje ari. Në Rusi diplomohet me ekuestrin Skënderbeu.

Niveli i gjykimit i komisionit të shkollës ishte shumë i lartë. Babait i thanë që ky model skulpture nuk mund të realizohet nga një student. Aq ju desh Thanasit, babait tim, për ta marrë si sfidë këtë gjë. Vepra bëri shumë bujë, u mbush akademia edhe me njerëz nga rruga. Ky kompozim u vlerësua me medalje ari, pas 10 vjetësh që nuk ishte dhënë kjo medalje. Dominon atje në Rusi  një djalë i ri nga fshati Paftal i Beratit. Ishte 30 vjeç kur u nda nga gruaja e tij ruse.

Eljan Tanini: -Çfarë bën pas kësaj kohe?

Besart Papa: -Ju dha shtëpi dhe studio nga shteti shqiptar, studio për 3 artistë si Andrea Mano, Thanas Papa dhe Dhimitër Çani. U paracaktua që do ndërtohej për ta. Artistët zgjodhën parcelën, ishte periferi. Babai ishte më i riu për nga mosha dhe për nga natyra.

Ishin disa variante për të bërë studiot. Diku toka kishte probleme, diku vakëf, ndërsa toka e tanishme e studiove ishte pronë e dy pleqve. Futet në studio në moshën 30 e pak vjeçare, caktohet edhe me punë në muzeun arkeologjik. Edhe im at si nxënës në Lice ka marrë pjesë në ndërtimin dhe krijimin e atij që sot njihet si ushtari i panjohur në Tiranë.

Unë i thosha babait që ti ke qenë gjithmonë me bodyguard me vete. Ai dilte nga shtëpia në Rrugën e Durrësit dhe e shoqëronte një spiun deri te Sahati. Nga Sahati shkëmbeheshin dhe  vinte në shtëpi me tjetrin. Babai me biçikletë po ashtu edhe sigurimsi!

Ne e zbualuam emrin e Thanas Papës nga një listë që doli në lidhje me intelektualët e përgjuar në komunizëm. Busti i Musa Fratarit ishte porosia e tij e parë që ju bë nga shteti.

Eljan Tanini: -Babai juaj artist skulptor ia vuri emrin të birit Besart. Babai jeton mes sigurimit dhe punës së tij artistike. Thanas Papa fiton konkursin e relievit që do të vihej te Kryeministria, si është kjo histori?

Besart Papa: -Konkursin e fiton ai bashkë me një arkitekt. Kur u hap zarfi me emrin dhe u pa që ishte Thanas Papa, 1971. 1972 iu dha me komisionim disa të tjerëve, relievi u bë nga Kristaq Rama, Hektor Dule dhe një tjetër.

Eljan Tanini: -Gjatë kësaj kohe që babai jeton me punën e tij, vendos të martohet. Kur ndodh kjo?

Besart Papa: –Nuk vendos të martohet! Nga ajo goditje që ndodhi nuk vendos të martohet. Diçka të keqe ai priste, internim, transferim etj… Atij do ti ndodhte diçka. Ishte në rreth të kuq, mbase shpëtoi nga fati, manovroi aty për aty. Përballë me ne banonte vëllai i Kadri Azbiut, ku ky I fundit vinte te ne dhe dëgjonte pllaka gramafoni. Disa e mbronin disa e lëshonin.

Veprën e Skënderbeut në kalë e solli nga Rusia. Komisioni I vlerësimit të diplomave të Bashkimit Sovjetik, u caktua që ajo diplomë do të bëhej në dy kopje, një për në Rusi dhe një për në Shqipëri. Vepra lëviz në disa vende të Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende socialiste, në fund vendoset në hollin e Shkollës Skënderbej. Atje e prishën, sa ishte shformuar, i thonë ta marrë veprën se e kanë hedhur poshtë te shkallët. Babai e merr veprën, deri në vitin 2010 ka qenë në studio e pa ngritur. Unë e marr mundimin ta kthej në gjendjen e parë.

Me mamanë time Shpresa Lekën njihet në vitin 1984, ishte 52 vjeç. Rasti i babait është fakti që njeriu nuk duhet të humbasë shpresën. Kur ky  njeri duroi, priti edhe pas kaq shumë vitesh gjeti fuqitë të nisë nga e para.

Eljan Tanini: -Nuk paska pritur shumë babai juaj! Në demokraci tenton të flasë me gruan e tij ish  ruse?

Besart Papa: -Ishin të kujdesshëm prindërit të mos flisnin çdo gjë. Ka tentuar të lidhet me ish gruan, vajzën e vogël e gjeti 32 vjeçe. Ishin te dy rreth 60 vjeçar, ajo, gruaja e tij ruse  vuante nga sëmundje të ndryshme. U takuan, vendosën disa lidhje të reja, por ajo ishte shumë e ftohtë, po ashtu edhe e bija!

Në ato vite Rusia ishte shumë keq, kur babai vajti atje, ka ngrënë mualebi fëmijësh, ndenji 3 ditë për të marrë një bukë. Pati një kontakt me një person që e lidhi andej me ish familjen e tij në Rusi.

Mamaja ime Shpresa Leka, ishte ajo që u bë sebep për të shkuar babai në Rusi,  ajo i tha të shkosh në Rusi e të takosh dhe të gjesh famijen tënde. Disa gjëra ishin sheshuar nga koha. E bija sillej normal por ftohtë. Gruaja e tij nuk ishte martuar.

Eljan Tanini: -Babai e fliste këtë gjë me ju në shtëpi?

Besart Papa: –E fliste vazhdimisht, por vitet e fundit nga mosha etj, nga rënia e forcës bisedat ishin të rralla. Kishte kujtime për Rusinë se ishte koha e artë e tij.

Eljan Tanini: -Si shiheni në atë kohë ata që ishin martuar me gra ruse?

Besart Papa: -Të kishe mbaruar në ato vite shkollën jashtë Shqipërisë ishe i veçantë. Im at dhe të tjerë ishin njerëz me fat për shkollën e tyre. Dikur ishte luks të ishe artist! Kur Jakup Keraj u kthye në Shkodër respektohej shumë, i veçantë si individ. Vëmendjet karshi këtij kontigjenti artistësh që janë pasuri nuk duhet të mungojnë. Unë sot vazhdoj të punoj në studion ku babai punoi për 70 vjet me radhë.

Eljan Tanini: -Kur ndërruan jetë babai dhe mamaja?

Besart Papa: –Në moshën 91 vjeçare babai, përpara 2 vjetësh. Mamaja 73 vjeçe, ata ikën të dy brenda nje muaji! Mamaja ishte arkitekte dhe urbaniste.

Eljan Tanini: -Në një kohë kur askush nuk e ka mendjen për asgjë, dikur shteti bënte çdo gjë për ta. Nëse nuk i ruajmë më vlerat e tyre deri në vdekje, nuk i mbron më askush sot.

Besart Papa: -Burimi i të gjitha të këqijave është injoranca. Pa art dhe kulturë nuk ka ekzistencë.

Continue Reading

DOSSIER

Rrëfëmi i ish-kreut të shërbimit sekret: Kur Papandreu filloi përgatitjet për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë

Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi”. Kështu shprehet studiuesi dhe eksperti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Irakli Koçollari, I cili vjen në një rrëfim të jashtëzakonshëm në “Mes dy botëve” përballë kavaletit të Helidon Halitit në RTSH. Si një ish diplomat, Koçollari, kujton vitet ’80 ku në Greqi ngritën kokë qarqet nacionaliste, ndërsa flet dfhe për Ligjin e Luftës mes dy vendeve tona. “Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi. Tamam në atë kohë shfaqet një libër në gjuhën greke, “Dy popuj jemi miq” (Libri i Enver Hoxhës), i cili ishte një mesazh për të thënë që ne jemi miq. Ai rendit atje disa fakte historike. Mendoni që ishte në të njëjtët kohë që ishin konfliktet dhe ishim tensionuar ekstremisht më ish-Jugosllavinë. Duhet ditur që Jugosllavia ishte fuqia e pestë ushtarake në Europë. Raportet me Greqinë duheshin të ishin raporte të mira dhe të sinqerta. Aq më tepër duke marrë në konsideratë kontributet e shqiptarëve në historinë e popullit grek, veçanërisht në pavarësinë e saj janë unike. Dhe këto shërbyen si fakt. Ata mbanin Ligjin e Gjendjes së Luftës dhe ti je midis dy luftërave, por asnjë vend ,qoftë dhe fuqia më e madhe në botë nuk e ka përballuar dot luftën në dy fronte. Në këtë kohë filluan përgatitjet nga qeveria “Papandreu” për heqjen e Ligjit të Luftës”, shprehet Koccollari.

Ai nënvizon se kjo nismë e Papandreut acaroi edhe më tej qarqet ekstremiste greke, ndërsa tregon dhe ngjarjet e atyre viteve gjer në djegien e automjeteve te ambasadës sonë atje. “Në atë kohë ka pasur një fushatë ekstreme antishqiptare, i ka të pakontrolluara ato qarqe. Shumë nga këto qarqe, vërtet mund të dalin nga rrjeshti, por në një shtet serioz veçanërisht për çështje që cenojnë sigurinë e saj dhe raportet e sja ndëkrombëtare, nuk duhet t’i lejojë kurrsesi. Iniciativa dhe mendësia për një miqësi mes dy popujve i takon Papandreut. Në atë kohë u bënë dhe akte të shëmtuara. Bënë demostrime para ambasadës, zjarr makinave, për të mos thënë hedhje në erë të makinave tona që publiku nuk i di. Kanë djegur komplet makinën”, thotë Koccollari.

Studiuesi Koçollari shprehet se trodjet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni.
“Brumi i mentalitetit të një populli është ai që është ngjizur ndër shekuj. Nuk e bëjnë 20 apo 30 vite. Në tërë historinë para shpalljes së shtetit shqiptar, por dhe përpara asaj dhe më pas asaj, çuditërisht po ta shikojmë, ne nuk kemi asnjë autor, asnjë studiues, asnjë politikan shqiptar me pikëpamje dhe mendësi ekspansioni kundër fqinjëve. Nuk ka. Të tjerët kanë platforma. Serbët në veri dhe grekët në jug kanë njerëz të ngritur që i konsiderojnë si balllarët e vendeve të tyre që kanë bërë platoforma për shkombëtarizimin dhe ekspansion kundër popujve fqinjë si Shqipëria.
Nëse do të përmend këtu serbët kanë deri në nobelistë që thonë: “Të theren shqiptarët”, “Të vriten shqiptarët”. Më gjej një shqiptar të thjeshtë që thotë “Të shfarosen serbët”?!.Nuk kemi një platformë os etë punuar qoftë dhe nga një individ me urrejtje nacionale apo me pretendime territoriale ndaj të tjerëve.
Gjithmonë kru diskutojmë për këtë temën më vjen në mendje një frazë e Çabej kur flet për shtrirjen territorial historike të popullit tonë dhe gjendjen faktike të trojeve shqiptare dhe të shtrirjes së popullsisë shqiptare sot. Thotë: “Trojet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni”. Gjithmonë të mbledhura dhe kemi arritur këtu ku jemi. Unë s’dua të bëj tani nacionalistin, por të vërtetat historike janë të vërteta historike”, shprehet ai.

Continue Reading

DOSSIER

Arkitekti i njohur: Muzeun e Krujës nuk e projektoi vajza e Enver Hoxhës, por unë

Nga Ani Jaupaj

Pasi e kishin shtyrë për vite të tëra realizimin e këtij muzeu, Enver Hoxha vendosi më në fund që ta ndërtonte pikërisht atëherë, kur e bija të diplomohej në Arkitekturë. Kjo do të ishte mbrojtja e saj e diplomës, sado që nota ishte e padiskutuar. Arkitekti Robert Kote dhe gurgdhendësi Kurt Murati, na tregojnë sot të vërtetën.  Siç e gjithë Kruja pohon; muzeun e këtij qyteti e ka realizuar zbatuesi i projektit, Robert Kote dhe jo projektuesja Pranvera Hoxha. Inxhinieri e arkitekti Robert Kote, punën që bëri në muzeun e Krujës do ta bënte patjetër, për sa kohë ishte me urdhër nga lart. Vetëm se urdhri i kishte ardhur shumë vite përpara realizimit. Askush nuk po e kuptonte se çfarë ndodhte, pse po vonohej puna, pse po lihej pezull…! Papritmas, një ditë e thërrasin sërish, tashmë për ta përfunduar…!

Profesor Roberti, si është historia e Muzeut të Krujës?

Historia e muzeut ka nisur shumë vite përpara se të punohej vërtet me të. Në vitin 1967, Enver Hoxha bëri një vizitë në Krujë, gjatë së cilës vizitoi edhe muzeun e vjetër. Pas kësaj bëri një letër, në të cilën e kritikonte, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer ky muze. Në këto kushte, sinjali ishte i hapur që; “merrni masa të bëni një tjetër”.

Kjo ka qenë koha kur unë, bashkë me një mikun tim që jetonte në Krujë, nisëm të bënim projektet e hamendësimet e para. Si mund të ishte, ku mund të ndërtohej?! Letra thoshte vetëm që s’i pëlqente, por nuk jepte indikacione të tjera. Si përfundim, asgjë nuk u bë. Kaluan disa vite. Unë isha pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, kur më thërrasin sërish. Në një takim me ministrin Thoma Deliana dhe Aleks Budën, vendosim të shkojmë në Krujë, për të parë terrenin.

Jo. Shkuam të tre bashkë me Foto Çamin, që ishte sekretari i parë i Komitetit Partisë së rrethit të Krujës dhe asnjëri nuk merrte përsipër të thoshte një mendim, donin ta anashkalonin, sepse u druheshin fjalëve të Enverit. Kështu u larguan nga vendi të gjithë me radhë dhe nuk u mor asnjë vendim. U kthyem sërish në Tiranë, pa bërë asgjë. Ngeli sërish varur kjo çështje për disa vite, deri sa një ditë na vjen papritmas lajmi, se do të ndërtohej muzeu.

Nga Enver Hoxha, projekti i atij muzeu, unë e kam thënë gjithnjë që ka lindur në shtëpinë e tij. Sidoqoftë, neve na erdhi kaq papritur të gjithëve, por kuptohet askush nuk guxonte të fliste.

Çfarë kishte ndodhur papritmas?

Pranvera, e bija, studionte për Arkitekturë dhe kishte ardhur koha të mbronte diplomën. E bëri me këtë projekt.

Jo, të gjithë fëmijët e udhëheqësve, kanë qenë studentët e mi, e bija e Hysni Kapos e, me radhë, por Vera jo. Më duket kam qenë në Kinë, në vitin kur i takonte t’i jepja lëndën.

Kurt Murati, një nga punëtorët e muzeut, na ka thënë se megjithëse në letër ishte emri i Pranverës, nuk ngelën shumë gjëra nga plani. Pra, u tjetërsua. Thotë se në fakt, e keni bërë ju…?

Në Krujë kështu thonë të gjithë. Në fakt, zyrtarisht unë isha zbatuesi i projektit, pavarësisht se projekti ishte fare diletant, për ta lënë ashtu. Kur ma dhanë, unë ia thashë këtë gjë Xhemal Dymyles, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Përgjigjja e tij ishte; shih e bëj vetë, rregulloji gjërat.

Ju çfarë bëtë? E tjetërsuat?

Bëra shumë ndryshime. E para sepse zbatimi i projektit, do bërë në përputhje me terrenin, me gjetjet arkeologjike. Gjatë punimeve, mund të dalin shumë gjëra të paparashikuara, që të bëjnë të ndryshosh planet. Por, përveç tyre, bëra ndërhyrje të tjera.

Si reagoi Pranvera ndaj kësaj, puna e saj s’po bëhej ashtu siç e kishte dhënë…

Ndryshimet po bëheshin për mirë, kështu që s’kishte pse të reagonte.

Po mund të ketë ardhur rreth 5 herë, në ato 4 vite e dy muaj që u ndërtua muzeu, jo më tepër. Një herë ishte për një intervistë që ka dhënë në muze, për Alfons Gurashin. Unë nuk e kam parë kurrë atë intervistë, ama e di që është bërë. S’di pse nuk e kanë shfaqur kurrë. Nejse…!

Në fillim, kur sapo nisi puna, Pranvera ishte më duket në Francë dhe nuk erdhi, pastaj kur u kthye erdhi e pa. Ndërkaq, unë kisha bërë 2 metra mur, të cilin e prishën, sepse nuk u pëlqente. Kaq. Por në mënyrë të vazhdueshme ata i ndiqnin punimet përmes filmimeve dhe fotografive që u shkonin përherë. Ishte një person i ngarkuar enkas me këtë punë, të fotografonte e filmonte.

A patët ndonjë “konflikt” gjatë kësaj periudhe? Jo se ju mund që t’i kthenit fjalë, por pakënaqësitë duken…?!

Jo, nuk pati pakënaqësi, për fat përfundoi me sukses, përveçse u vonua ca në kohë.

A nuk ishte kjo pakënaqësi për ta?

Edhe mund të ishte, por nuk kishte alternativa të tjera. Për kohën raportohej vazhdimisht. Merrej me këtë punë Ramiz Alia, i cili kur më pyeti një herë, i thashë të vërtetën, se nuk mund ta përfundonim, siç ishte parashikuar. Pas kësaj, ai na mblodhi bashkë me Pranverën dhe ministrat. “Pse jepni informacion të gabuar? – tha”. Ndërkaq, i kishte shkuar Enverit një letër nga banorë të Fierit, për një sallë teatri, që ishte shumë e vogël. U tërhoqi vërejtje për këto dy gjëra, muzeun dhe sallën.

Përfundoi një vit e pak më vonë, sepse edhe po të arrihej si ndërtim, nuk do mund të arredohej. Dhe në fakt, edhe ashtu siç u arredua, ishin sajesa, sepse ai quhet vërtet “Muzeu i Skënderbeut”, por prej tij e kohës së tij, aty nuk ka asgjë. Sidoqoftë, pas mbledhjes u dhanë disa fonde shtesë, në mënyrë që të realizohej.

Çfarë reagimesh kishte, pasi e përfunduat punën?

Reagimet ishin të mira, muzeu u pëlqye, megjithatë qëndrimet e tyre ndaj meje, nuk di pse, qenë gjithnjë jo të mira. Mua më kishin qarkulluar në Krujë, përpara kohës së muzeut dhe, në përfundim të tij, Pranvera më kishte premtuar, se do të më transferonte në Tiranë.

Ishte premtim që ajo e bëri publikisht në sy të të gjithëve, por nuk e mbajti. Edhe Ramiz Alia, sado që i thashë disa herë, nuk e bëri. Nuk e kam kuptuar këtë reagim, megjithatë, ndaj ne “punëtorëve” që realizuam muzeun, ngeli gjithnjë një qëndrim jo fort miqësor, meqenëse ishim të gjithë si me biografi jo të mirë. Prandaj edhe vendosën të mos na përfshijnë as në fotografinë përfundimtare, që u bë pas inaugurimit. Morën pjesë në të vetëm artistët, ne jo.

Erdhi Enver Hoxha në inaugurimin e veprës së vajzës së tij?

Mbaj mend se Sulo Gradeci, erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli, me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha, nuk kishte ardhur për në inaugurimin zyrtar!

Si është e mundur, u kujdes kaq gjatë për ta realizuar?

Jo vetëm u kujdes, por faktikisht, ajo quhet vepër e Enver Hoxhës. Ne pritëm deri më datë 1 nëntor të vitit 1982, që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë, por asgjë. Nga Byroja Politike, erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë, që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete.

Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin me atentat, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë kosovare, në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të, apo jo, kjo nuk dihet!

Gur-gdhendësi Kurt Murati: “Projekti i Pranverës, i ngjante një bunkeri”

Kanë kaluar aq shumë vite, saqë Kurt Murati nga ndërtimi i Kalasë së Krujës, kujton vetëm “ngjarjet kryesore”. Ai vetë ka qenë gurgdhendës për tre vite. Do ta çonte punën deri në fund, po ta lejonin. Si çdo ndërmarrje, rrugë a shtëpi, edhe aty ishin të dërguarit e posaçëm, për të marrë e çuar zëra.

Jo se dëgjohej ndonjë gjë, kush të pipëtinte, po ngjarjet mund të krijoheshin edhe vetë. Ndër gurgdhendësit, Kurti ishte më i vjetri, përvoja e të cilit njihej jo vetëm në veprat e qytetit ku banonte. Për këtë, përveçse të skaliste gurin, shkëmbente shpesh mendime me zbatuesit e projektit. Zbatuesi nga ana e tij, marrëdhëniet i kishte me realizuesin.

Zyrtarisht, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mban firmën e arkitektes Pranvera Hoxha dhe të Pirro Vasos. Emri i këtij të fundit, nuk kishte pse të lakohej kaq shumë. Fundja, asokohe, të gjithë përmendnin vetëm Pranverën. Në fund të viteve ’70-të, e bija e Enver Hoxhës, po i dhuronte vendit një vepër të madhe. Por cila është e vërteta e këtij muzeu? Me aq sa kujton, Kurt Murati, ai që e ka bërë me dorën e tij muzeun, na tregon…:

Kush e ka bërë projektin e Muzeut të Skënderbeut nw Krujë?

Përveç rëndësisë që ka ai muze, si ndër pak më të rëndësishmit në Shqipëri, në kohën që nisi ndërtimi, u bë dyfish i rëndësishëm për shkak të emrit të arkitektes, asaj që bëri planin e parë të Muzeut, Pranvera Hoxha.

Pse planin e parë, pati të dytë?

Në letra jo, d.m.th., zyrtarisht jo, që të dihej nga të tjerët.

Çfarë duhet të dinin të tjerët?

Që pavarësisht të gjithave, vlerave të arkitektes e të tjera, atë muze e ka bërë zbatuesi i planit. Arkitekti Robert Kote, që si edhe unë ishim me “njollë” në biografi, thuajse e ka ribërë projektin e parë. Natyrisht këto gjëra nuk thuheshin lart e poshtë, askush nuk merrte vesh se ç’bëhej, por ata që kishin parë planin e parë të punës, e kishin shumë të thjeshtë më pas të bënin ndryshimin.

Ishte një projekt i ngjashëm me bunkerin, por asgjë nuk u bë nga ajo, u tjetërsua e mori pamjen që mund të shihni sot. Memorie.al

Continue Reading
Advertisement

TRENDING