Kosova
Serwer: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së përmirëson drejtësinë vetëm në Serbi
Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke theksuar se një dënim i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të përmirësojë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare në asnjë vend tjetër përveç Serbisë.
Serwer ka thënë se Specialja ka dështuar të ofrojë drejtësinë që kërkon populli i Kosovës.
“Ajo që nuk thuhet është se një gjykatë që ka kushtuar komunitetit ndërkombëtar disa qindra milionë euro ka dështuar të ofrojë drejtësi sipas standardeve që kërkon populli i Kosovës. Mënyra për ta zgjidhur këtë nuk është e qartë për mua. Por dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do të përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund përveçse në Serbi”, deklaroi Serwer në analizën e tij mbi zhvillimet në Kosovë dhe Bosnje.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, dy javë më parë, gjatë prezantimit të raportit “Rishikimi Preliminar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, të organizatës britanike “The Bart Human Rights Committee of England and Wales (BHRC)”, kishte bërë të ditur se ky raport evidenton se mandati i Dhomave të Specializuara ka pasur devijime nga qëllimi fillestar.
Megjithatë, Specialja reagoi duke theksuar se raporti nuk përmban ndonjë gjetje se ndonjë vendim i gjykatësve ka shkelur të drejtat e njeriut të ndonjë të akuzuari, dhe se i njëjti nuk do të ndikojë në punën e gjykatës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të vendit, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të katërtit mohojnë akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Që nga fillimi i gjykimit ndaj katërshes së UÇK-së më 2023, në Kosovë dhe vende të tjera janë mbajtur protesta në mbështetje të tyre.