Connect with us

Kosova

SHBA udhëron mbylljen e menjëhershme të UNMIK, e cilëson humbje fondesh

Shtetet e Bashkuara kritikuan ashpër të hënën Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), duke kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të nisë procesin e mbylljes së tij, duke e cilësuar “të panevojshëm” dhe “humbje fondesh”.

“Qëllimi përfundimtar i një misioni paqeruajtës duhet të jetë krijimi i kushteve që e bëjnë të panevojshëm vetë misionin,” tha ambasadori amerikan Jeff Bartos, përfaqësues i ShBA-së për menaxhimin dhe reformën në OKB, duke argumentuar se Kosova “nuk përballet më me krizë sigurie që të justifikojë praninë e UNMIK-ut.”

Sipas tij, “nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka më rol në qeverisjen e saj. Ka ardhur koha që misioni të tërhiqet”.

Bartos theksoi se Uashingtoni e njeh kontributin e kaluar të UNMIK-ut, por nënvizoi se misioni është bërë joefikas: “Në realitet, UNMIK-u është një mision paqeruajtës i fryrë, pa paqeruajtës”, tha ai, duke shtuar se 81 për qind e buxhetit të tij shkon për paga dhe shërbime mbështetëse që mund të menaxhohen nga organizata të tjera.

Ai e cilësoi mbajtjen e shpeshtë të takimeve për Kosovën në OKB si “performative”, që “dëmtojnë institucionin dhe i heqin burime krizave të vërteta globale”.

“Këto takime të shpeshta e të panevojshme për UNMIK-un janë humbje kohe dhe fondesh, dhe ulin rëndësinë e punës që ky Këshill duhet të kryejë”, shtoi Bartos.

Ambasadori amerikan njoftoi se misioni po i nënshtrohet një rishikimi të stafit, por paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta justifikuar vazhdimin e tij.

“Siç kemi theksuar vazhdimisht, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në identifikimin dhe eliminimin e shpenzimeve të panevojshme dhe të kotë në Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Sipas ShBA-së, Këshilli i Sigurimit duhet të rishikojë mandatin e UNMIK-ut dhe të shpërndajë përgjegjësitë tek organizata të tjera, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulnin tensionet dhe të punonin për paqe e stabilitet, me “qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke”.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe deri më tani është njohur nga 108 shtete, përfshirë ShBA-në dhe Türkiyen. Serbia, megjithatë, vazhdon ta konsiderojë atë pjesë të territorit të saj.

Vitet e fundit, tensionet mes dy vendeve janë shtuar në rajonet me popullsi të madhe serbe, duke çuar në raste kur Serbia ka grumbulluar trupa përgjatë kufirit.

Që nga marrja e detyrës në janar, administrata Trump ka ndërmarrë hapa për tërheqjen ose shkurtimin e fondeve për disa institucione ndërkombëtare, veçanërisht agjenci të OKB-së, duke përmendur “shpenzimet e panevojshme”, shpesh pa paraqitur prova konkrete.

Advertisement