✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

SHQIPËRIA NË PROVËN E PARISIT/ FRANCA MUND TE BEHET PENGESA E RRADHES

Shqipëria mund të përballet me një tjetër sfidë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, këtë herë në Paris. Franca mund të kthehet në një nga pengesat kryesore për zgjerimin e ardhshëm të BE-së, edhe nëse vendet kandidate arrijnë të përfundojnë me sukses negociatat e anëtarësimit.

Kjo është pikëpyetja që ngre një analizë e re e Institutit Evropian CIFE, e cila fokusohet te mënyra se si Franca ratifikon traktatet për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Çështja merr rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy prej vendeve të Ballkanit Perëndimor që konsiderohen ndër më të avancuarat në procesin e negociatave.

Referendum ose shumicë e cilësuar

Sipas analizës, Kushtetuta franceze parashikon që traktatet për anëtarësimin e vendeve të reja në BE të ratifikohen përmes një referendumi ose përmes një procedure parlamentare që kërkon shumicë prej tre të pestash.

Rregulli lidhet me debatin e zhvilluar në Francë në vitet 2004-2005 për perspektivën e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Ndryshimi kushtetues i vitit 2005 vendosi detyrimin për referendum, ndërsa reforma e vitit 2008 i dha Presidentit francez mundësinë për të zgjedhur edhe rrugën parlamentare.

Në këtë rast, traktati duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Parlamentit dhe më pas të marrë mbështetjen e tre të pestave të Kongresit, ku bashkohen Asambleja Kombëtare dhe Senati.

Franca ndër vendet më skeptike për zgjerimin

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është opinioni publik francez.

Sipas të dhënave të Eurobarometrit të cituara nga CIFE, 40% e francezëve mbështesin pranimin e vendeve të reja në BE, ndërsa 51% janë kundër.

Kur pyetja lidhet konkretisht me Ballkanin Perëndimor, 40% mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi dhe 37% atë të Shqipërisë.

CIFE thekson se këto shifra nuk mund të përdoren për të parashikuar rezultatin e një referendumi të mundshëm. Megjithatë, sipas analizës, ato tregojnë një nivel të konsiderueshëm skepticizmi ndaj zgjerimit.

Edhe rruga parlamentare mund të jetë e vështirë, pasi fragmentimi i politikës franceze mund ta komplikojë sigurimin e shumicës prej tre të pestash.

Nga bllokimi te “domosdoshmëria strategjike”

Qëndrimi i Francës ndaj zgjerimit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2019, Presidenti Emmanuel Macron kundërshtoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se Bashkimi Evropian duhej të reformohej përpara një zgjerimi të mëtejshëm.

Por pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, qasja e Parisit ka ndryshuar.

Sipas qëndrimit francez të cituar në analizën e CIFE, zgjerimi me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë konsiderohet një “domosdoshmëri strategjike në kontekstin aktual gjeopolitik”.

Megjithatë, Franca kërkon reforma të thella në vendet kandidate, si dhe mekanizma mbrojtës dhe periudha tranzitore në traktatet e ardhshme të anëtarësimit.

74% e francezëve thonë se nuk janë të informuar mjaftueshëm

Analiza evidenton edhe një tjetër problem.

74% e francezëve deklarojnë se nuk ndihen mjaftueshëm të informuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Për autorët e analizës, ky hendek informimi mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohet procesi i zgjerimit në opinionin publik francez.

Në rast se Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate arrijnë në fazën e traktatit të anëtarësimit, sfida nuk do të jetë më vetëm përmbushja e kushteve të BE-së dhe përfundimi i negociatave.

Do të nisë edhe një tjetër betejë: ratifikimi në të gjitha vendet anëtare, përfshirë Francën.

Dhe pikërisht në këtë fazë, sipas analizës së CIFE, qëndrimi i Parisit dhe opinionit publik francez mund të bëhen një faktor vendimtar për ritmin e zgjerimit të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Advertisement