Kosova
Shqipëria,Kosova e Kroacia sulmojnë Serbinë/ Vuçiç nën hijen e fantazmës së rrethimit
Bashkëpunimi ushtarak mes shteteve është normë në arkitekturën moderne të sigurisë, por në Ballkan, ai vazhdon të shihet si problem – të paktën nga Serbia kur përfshin Kosovën dhe dy aleatet e NATO-s, Shqipërinë dhe Kroacinë.
Nënshkruesit e paraqitën atë si angazhim për forcimin e bashkëpunimit, mbrojtjen e territoreve dhe kontributin në paqe e siguri ndërkombëtare, duke theksuar se nuk është e drejtuar kundër askujt.
Megjithatë, Serbia e interpretoi si provokim të hapur, që rrezikon integritetin e saj territorial dhe sigurinë e qytetarëve – deri në atë pikë sa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi, muajin e kaluar, se këto vende po përgatiten për sulm.
Për ta forcuar këtë narrativ, ai paralajmëroi javën e kaluar investime të reja në ushtri dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në një “situatë komplekse” sigurie, të shkaktuar nga aktivitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.
Në një rajon, ku kujtesa e konflikteve të viteve ’90 ndikon ende mënyrën se si lexohet siguria, edhe zhvillimet që në thelb duken bashkëpunuese, shpesh marrin kuptime politike.
Serbia e paraqet veten si ushtarakisht neutrale, ka buxhetin më të madh të mbrojtjes në rajon dhe bashkëpunon paralelisht me NATO-n, Rusinë dhe Kinën.
Përse atëherë një marrëveshje mes tri vendeve, që nuk kanë as pretendime territoriale dhe as kërcënime të shpallura ndaj saj, nxit reagime të forta në Beograd? Për ekspertët e çështjeve të sigurisë, përgjigjja qëndron më shumë në interpretim politik sesa në një kërcënim real.
Aleksandër Radiç, analist ushtarak dhe publicist, thotë se një pjesë e shoqërisë në Serbi i sheh zhvillimet rajonale përmes prizmit të kërcënimeve të jashtme – çka e bën më të lehtë për Vuçiqin të krijojë imazhin e një vendi “nën rrethim” dhe të mobilizojë mbështetjen përmes retorikës së sigurisë.
Në kushtet e protestave antiqeveritare që zgjasin prej më shumë se një viti, Radiç vlerëson se pretendimet për rreziqe nga jashtë shërbejnë edhe për të zhvendosur vëmendjen nga krizat e brendshme.
Kur analizohet mendësia e njerëzve që e mbështesin Vuçiqin, vërehet se ata janë të prirë të besojnë se faktorë të jashtëm ndikojnë negativisht në Serbi. Ata mendojnë se shërbimet e huaja të inteligjencës po e prishin rendin dhe po veprojnë kundër interesave serbe.