✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Siguria nuk negociohet”, Demo: Zero tolerancë për rrezikun në shkolla

“Siguria në shkolla nuk negociohet”. Kjo ishte deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një takimi për Paketën e Sigurisë në Shkolla, të zhvilluar në Bashkinë Kamëz.

Në takim, ku morën pjesë edhe ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Spahiu, ministri i Bujqësisë Salla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz Suli, Demo theksoi angazhimin e institucioneve për garantimin e sigurisë së nxënësve.

Sipas ministrit, synimi është krijimi i një mbrojtjeje të koordinuar për fëmijët, duke nisur nga ambientet e shkollës dhe perimetri i tyre, deri te siguria ushqimore dhe mirëqenia fizike e nxënësve. Në Kamëz mësojnë rreth 20 mijë nxënës, ndërsa sipas institucioneve vendore, investimet e viteve të fundit kanë përmirësuar infrastrukturën shkollore.

Demo deklaroi se Paketa e Sigurisë në Shkolla zbatohet në të gjithë territorin dhe se Policia e Shtetit po e shoqëron atë me masa konkrete, veçanërisht për sigurinë pranë institucioneve arsimore.

“Ka zero tolerancë për sa i përket akteve apo veprimeve që mund të vënë në rrezik mirëqenien e fëmijëve tanë”, u shpreh ministri.

Sipas tij, paketa nuk synon vetëm reagimin pas një incidenti, por edhe parandalimin e hershëm të problematikave. Në këtë proces, Demo vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin dhe komunikimin mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve, policisë dhe prindërve.

Ministri e cilësoi sigurinë në shkolla si një prioritet të institucioneve dhe tha se çdo element që cenon sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve duhet të trajtohet me tolerancë zero.

Në përfundim, Demo theksoi se zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe komunikim të rregullt me mësuesit, prindërit dhe nxënësit.

Advertisement