Aktualitet
Tragjedi në lindje – Prokuroria çon në gjyq dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni”
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, me inicialet E.V. dhe A.H., të akuzuar për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z., e cila humbi foshnjën gjatë procesit të lindjes. Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e foshnjës erdhi si pasojë e dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit – mjet obstetrik që përdoret në lindjet e vështira, kur procesi natyral nuk përparon ose është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Ekspertiza thekson se dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik nuk ishin pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë e mosveprimit në kohë nga ana e mjekëve.
Sipas Prokurorisë, mosveprimi i dy mjekëve – njëri përgjegjës për ndjekjen e shtatzënisë dhe tjetri mjek roje në maternitet – ka qenë faktori vendimtar që çoi në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, me pasojë humbjen tragjike të jetës së një të porsalinduri.