✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Trump sjell “GJENERALIN” në Shqipëri/ Eric Wendt zbarkon në Tiranë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, mbërriti mesditën e kësaj të premteje, 25 shtator, në Tiranë, duke nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik në vendin tonë.

Wendt, ish-gjeneral amerikan dhe i përzgjedhur nga presidenti Donald Trump për postin e ambasadorit në Shqipëri, mbërriti në aeroportin e Rinasit me fluturimin OS573. Në aeroport u prit nga përfaqësues të protokollit të shtetit dhe të Ambasadës Amerikane.

Pas rreth 20 minutash qëndrimi në terminalin VIP, ambasadori i ri amerikan u largua nga aeroporti dhe makina me flamurin amerikan u nis drejt Tiranës, me ndalesën e parë në selinë e Ambasadës Amerikane në Rrugën e Elbasanit.

Gjatë dëgjesës në Senatin amerikan, Wendt kishte paraqitur katër prioritete për mandatin e tij në Shqipëri. Në fokus janë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së, përfshirë mbështetjen për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

Një tjetër prioritet lidhet me mbështetjen e Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Në axhendën e tij është përfshirë gjithashtu diplomacia ekonomike dhe tregtare, ndërsa një tjetër pikë lidhet me funksionimin dhe forcimin e stafit të ambasadës.

Wendt nis detyrën në Shqipëri pas një periudhe rreth trevjeçare pa një ambasador amerikan të konfirmuar në vend, që prej përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.

Axhenda e tij diplomatike nis menjëherë. Të shtunën, ambasadori pritet të shkojë në Pallatin e Brigadave, ku do t’i dorëzojë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Top Channel, takimi pritet të përfshijë edhe një bisedë mes Begajt dhe Wendt.

Të hënën, ambasadori i ri amerikan pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri. Pjesëmarrja në këtë aktivitet pritet të tërheqë vëmendjen edhe për shkak të listës së të ftuarve nga politika shqiptare.

Advertisement