Aktualitet
U takua me dy të dënuar? Zbardhet identiteti i eskortës që u filmua duke hyrë në Burgun e Peqinit
Detaje të reja kanë dalë pas publikimit të një videoje nga Flamur Noka, në të cilën pretendohej se një eskortë ishte futur për takime speciale në Burgun e Peqinit.
U bë e ditur se videoja e publikuar nga Noka daton në korrik të vitit 2025, kur Burgu i Peqinit drejtohej nga i ndjeri Edmond Llabani.
Por kush është vajza që u filmua duke hyrë në Burgun e Peqinit?
Gazetari Elton Qyno shkruan se vajza bjonde që ka hyrë në Burgun e Peqinit është A.M., e cila, sipas tij, është futur për takime speciale gjatë periudhës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Sipas gazetarit Qyno, ka dyshime dhe indicie se A.M., në ditë të ndryshme, ka zhvilluar takime me të dënuarit me inicialet L.D. dhe R.Rr., të cilët vuajnë dënimin në Burgun e Peqinit.
Po ashtu, Qyno shkruan se ka dyshime se videon e ka realizuar dhe më pas e ka shpërndarë një punonjëse, edukatore sociale në Burgun e Peqinit, ndaj së cilës kanë nisur procedurat për marrjen e masave disiplinore nga autoritetet e burgut.
Ky rast, por edhe disa të tjerë, janë duke u hetuar nga prokuroritë e disa rretheve në vendin tonë. Mësohet se prokuroritë e Durrësit, Fierit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe Tiranës po hetojnë takimet në burgje gjatë periudhës pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Rasti i parë që u zbulua ishte ai i takimit të modeles nga Kosova, Ziza Pajaziti, me të dënuarin me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu. Por, në një deklaratë pak ditë më parë, avokatët e Pajazitit bënë të ditur se modelja bashkëjetonte me të dënuarin me burgim të përjetshëm.
Po si funksionon skema e takimeve në burgje?
Sipas gazetarit Qyno, forma më e përhapur që vajzat ndjekin për të zhvilluar takime speciale në burgje është përdorimi i deklaratave noteriale të bashkëjetesës me të dënuar të ndryshëm. Ato kanë hyrë si avokate ligjore të zgjedhura nga vetë të dënuarit, por edhe përmes dokumenteve të formalizuara si sociologe ose psikologe.