Aktualitet
Videot intime të Adi Hilës/ Mbërrin denoncimi i parë në polici, këngëtarja nga Kosova shkon me emra
Vijon hetimi për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve intime të regjistruara në ambiente private, ndërsa në polici është bërë denoncimi i parë nga një prej personave që shfaqet në pamjet e publikuara.
Sipas raportimeve, këngëtarja nga Kosova me inicialet E.A. ka dhënë deklarimet e saj për rrethanat e ngjarjes dhe ka denoncuar një person që, sipas saj, ka qenë ndër të parët që ka shpërndarë videot në portale. Ajo ka përjashtuar kompozitorin Adrian Hila nga përgjegjësia për publikimin e pamjeve, duke deklaruar se nuk është ai personi që i ka nxjerrë videot.
Në kuadër të hetimit, policia ka marrë deklarime nga katër persona, mes tyre tre këngëtare, E.F., B.M. dhe E.A., si dhe vetë Adrian Hila. Kompozitori ka deklaruar se pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në ambientet private janë hakeruar.
Hila po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Policia ka marrë deklarime edhe nga një këngëtar i ri, me inicialet G.H., i cili shfaqet në disa prej pamjeve intime. Sipas deklarimit të tij, marrëdhënia ka qenë konsensuale dhe ka nisur pasi ai kishte arritur moshën madhore.
Për ngjarjen, Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori për vepra penale që lidhen me përgjimin e paligjshëm dhe ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike, keqpërdorimin e pajisjeve dhe ndërhyrjen e padrejtë në jetën private.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën se si janë siguruar pamjet, kush ka pasur akses në to dhe si kanë përfunduar ato në portalet dhe rrjetet sociale.