✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Vrasjet masive/ Ministri i Brendshëm dhe Hita zbarkojnë në Policinë e Shkodrës

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi këtë të hënë një takim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Gjatë vizitës, ata u pritën nga drejtuesi i policisë vendore dhe përfaqësues të strukturave të rendit në qark.

Takimi vjen në një periudhë kur çështjet e sigurisë në Shkodër janë rikthyer në vëmendje, pas disa ngjarjeve të rënda kriminale të regjistruara gjatë muajve të fundit. Në fokus mbeten gjithashtu problematikat që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, të cilat vijojnë të përbëjnë një nga sfidat për strukturat ligjzbatuese.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, në qarkun e Shkodrës nuk ishte regjistruar asnjë ngjarje me pasojë vrasjen. Situata ndryshoi pas 9 korrikut, ndërsa në muajt pasues u shënuan pesë vrasje.

Mes ngjarjeve më të rënda janë ato të regjistruara në zonën e Dukagjinit. Më 11 korrik, Aleksandër Koçeku u vra në një pritë, ndërsa më 23 gusht, Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u ekzekutuan me armë zjarri në Dukagjin. Sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, në drejtim të tyre u qëllua me më shumë se 90 plumba.

Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, ndërsa deri në këtë fazë autorët nuk janë identifikuar dhe arrestuar.

Vizita e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në Shkodër zhvillohet në këtë kontekst, ndërsa siguria në qark dhe hetimi i ngjarjeve të rënda mbeten ndër çështjet kryesore për strukturat vendore të rendit.

Advertisement