Aktualitet
31 tetori afati i fundit/ Ujësjellësi paralajmëron lavazhet: Shkëpusni ujin…
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur një aksion kombëtar për kontrollin e përdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhet në të gjithë vendin.
Sipas Agjencisë, Kodi i Furnizimit me Ujë nuk lejon përdorimin e ujit të pijshëm të rrjetit publik për aktivitetin e lavazheve. Subjektet që aktualisht furnizohen nga rrjeti publik kanë afat deri më 31 tetor për ta ndërprerë këtë praktikë dhe për të siguruar një burim tjetër të ligjshëm uji.
Pas përfundimit të afatit, kontrollet në terren pritet të intensifikohen dhe subjektet që nuk do të kenë respektuar kërkesat ligjore do të përballen me masat administrative të parashikuara nga ligji. Agjencia paralajmëron gjithashtu se ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit përbëjnë vepër penale.
Aksioni është shtrirë në të gjitha bashkitë e vendit, ndërsa sipas Agjencisë, lavazhet konsiderohen ndër aktivitetet që kanë ndikim të konsiderueshëm në konsumin e ujit të rrjetit publik. Për këtë arsye, subjekteve u kërkohet të përdorin metoda alternative dhe të ligjshme për furnizimin me ujë.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Fludian Çuka, ka paralajmëruar se pas 31 tetorit nuk do të ketë tolerim për lidhjet e paligjshme.
“Pas kësaj date, kush është në rregull me ligjin do vazhdojë të punojë, kush nuk është në rregull do ketë pasoja. Ne pas datës 31 tetor do dalim në terren dhe do marrim masat e nevojshme administrative për të eliminuar këtë fenomen dhe për të ndërgjegjësuar këtë tipologji biznesi përsa i përket këtyre lidhjeve të paligjshme”, është shprehur Çuka.
Afati i 31 tetorit mbetet kështu data e fundit për shkëputjen vullnetare të lavazheve nga rrjeti publik i ujit të pijshëm, përpara nisjes së kontrolleve dhe masave administrative.