Kosova
Kurti takohet me Kumbaron, flasin për bashkëpunim në sektorin e turizmit
Krijimi i hapësirave të reja për bashkëpunim në turizëm ishte në qendër të takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për të rritur angazhimin institucional për aktivitete të reja të përbashkëta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në shërbim të produkteve të reja turistike, ku do të përfshiheshin asetet më të rëndësishme turistike të të dy vendeve, thuhet në një komunikatë për media.
Organizimi i planifikuar i konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri” u vlerësua si mundësi për konkretizimin e nismave të përbashkëta, thuhet tutje.
Gjithashtu u theksuan potencialet për investime, duke marrë parasysh pozitën e favorshme gjeografike në rajonin e Ballkanit.