Connect with us

Shkrime

Lufta në Ukrainë dhe profecia e ‘The Economist’

Profecia e ‘The Economist’: Rusia rrezikon të bëhet e paqeverisshme dhe të zhytet në kaos

Ishte 24 shkurt 2022 kur të gjithë në Rusi mendonin se ofensiva ushtarake e sapo nisur ndaj Ukrainës do të zgjaste vetëm disa ditë. Sipas parashikimeve të Vladimir Putin, trupat do të fitonin shpejt kontrollin e të gjithë Ukrainës.

Pak do ta kishin imagjinuar se ukrainasit do të kishin qenë në gjendje të rezistonin deri më sot. Tani, pas nëntë muajsh zhgënjimi dhe dëshpërimi në terren, Moska rrezikon të bëhet “e paqeverisshme” dhe “të bjerë në kaos” – Kështu mendon Arkady Ostrovsky, redaktori rus i ‘The Economist’.

“Lufta po e kthen Rusinë në një shtet të dështuar, me kufij të pakontrolluar, me formacione ushtarake private, një popullsi në ikje, me krisje morale dhe me mundësi konflikti civil. Teksa besimi i liderëve perëndimorë në aftësinë e Ukrainës për t’i rezistuar terrorit të Putinit është rritur, shqetësimi po rritet për aftësinë e Rusisë për t’i mbijetuar luftës” – Thotë gazeta britanike.

Tërheqja nga Kherson – kryeqyteti i një prej katër rajoneve që Putin kishte shpallur aneksimin në shtator, duke thënë se do të mbeten rusë “përgjithmonë” – i dha një goditje të rëndë Kremlinit.

Politologia Ekaterina Schulmann, e cituar nga ‘The Economist’, shpjegon se “Federata Ruse, siç e njohim ne, po likuidohet dhe po hyn në një fazë falimentimi. Aneksimi nuk do të dekurajojë forcat ukrainase, por do të krijojë precedentë për rajonet ruse në krizë, duke përfshirë republikat e Kaukazit të Veriut, të cilat ka të ngjarë të shkojnë drejt shkëputjes, nëse qeveria qendrore fillon të lirojë kontrollin e saj.”

Dobësia tjetër përfaqësohet nga rritja e milicive private që u përgjigjen vetëm drejtuesve të tyre: nga mercenarët e Vagnerit të Evgeny Prigozhin, te “Kadyrovtsy” të liderit çeçen Ramzan Kadyrov.

Anarkia është e shfrenuar veçanërisht në Moskë, ku, thotë Ostrovsky, “madje edhe agjencitë qeveritare të sigurisë janë gjithnjë e më shumë në shërbim të interesave të tyre korporative”.

Pakënaqësia po përhapet edhe tek rusët – “Putini theu konsensusin e brishtë sipas të cilit njerëzit kishin rënë dakord të mos protestonin kundër luftës, në këmbim të të mbeturit vetëm. Tani atij i thuhet të luftojë dhe të vdesë për të mirën e regjimit të tij”, shkruan The Economist duke iu referuar mobilizimit të pjesshëm të rezervistëve që filloi në shtator dhe përfundoi (të paktën sipas njoftimeve të Moskës) më 31 tetor.

Vladimir Putin, argumenton Arkady Ostrovsky, është në një rrugë pa krye – “Putin nuk mund të fitojë, por nuk mund të përballojë as t’i japë fund luftës”. Këtu na vijnë ndërmend fjalët e shprehura nga Alexei Navalny, lideri i burgosur i opozitës ruse, në një nga seancat e tij gjyqësore – “Nuk kemi mundur ta parandalojmë katastrofën dhe nuk po rrëshqasim më drejt saj, por po kalojmë përmes saj”

E vetmja pyetje që shtrohet tani është se “kur Rusia do të arrijë fundin dhe nëse do të shembet.

 

Advertisement

TRENDING