Kosova
S’ka njohje nga Serbia/ Hovenier: Aktualisht nuk është e mundur
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka deklaruar se plani i BE-së për dialogun nuk përmban njohjen de-jure mes dy vendeve, por njohja reciproke duhet të ndodh në marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
Sipas tij, nuk ka referencë në këtë marrëveshje bazë shumë formale, njohje de-jure të Kosovës porse në fund do të duhet të ketë njohje reciproke.
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i qartë, ka qenë dhe do të jetë, por tani duhet të merremi me momentin në të cilin jemi, dhe mendoj se për shkak të vendimeve që po merren nga lidershipi në Serbi gjasat për arritjen e njohjes reciproke në këtë moment nuk janë shumë të larta dhe nevoja për një status quo të ri të ripozicionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi që kontribuon më shumë në një stabilitet më të madh rajonal dhe i lejon Kosovës të lëvizë përpara në shumë mënyra, është edhe e arritshme dhe e rëndësishme”, tha Hovenier