Connect with us

Kosova

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Analistët: Suksesi varet nga angazhimi…

Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një arritje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Por fakti që ajo nuk është nënshkruar dhe retorika e udhëheqësve të dy vendeve që nuk kanë shfaqur në thelb ndonjë ndryshim qëndrimesh për çështjet më të mprehta, kanë krijuar paqartësi lidhur me ecurinë e mëtejshme. Ndërsa afrohet një takim i kryenegociatorëve javën e ardhshme, analistët bien dakord se që kjo marrëveshje të jetë e suksesshme, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qendror. Por siç njofton kolegia Keida Kostreci, ata theksojnë se sfidat vazhdojnë të mbeten.

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se marrëveshja për rrugën e normalizimit është si kritike ashtu edhe e brishtë dhe për këtë arsye ajo kërkon gjithë mbështetjen e mundshme.

“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Joseph thotë se dështimi do të kishte pasoja të rënda.

“Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte një dështim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe do të ishte një fitore për Rusinë dhe Kinën, nuk di si ta bëj më të qartë se kaq”, thotë ai.

Dr. Majda Ruge, eksperte e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë bie dakord se roli i Perëndimit është kritik.

“Prandaj unë mendoj se nëse nuk shohim një ndryshim drastik në nivelin e monitorimit të presionit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara veçanërisht ndaj Serbisë, nuk mendoj se do të shohim shumë lëvizje përpara”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Si SHBA edhe BE-ja theksojnë se marrëveshja është shumë rëndësishme për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Senatori Chris Murphy tha se Uashingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për cilindo vend që t’u bashkohet atyre organizatave, nëse nuk tejkalohen dallimet ndërmjet palëve.

Por ai tha se në fund të fundit vendimi u takon udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mendojmë se është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Beogradit që të zbatohet kjo marrëveshje. Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja. Kjo thjesht nuk është e dobishme sipas mendimit tim”, tha ai.

Zoti Joseph nuk është dakord.

“Ky është gabim i madh. Dhe unë jam vërtet i zhgënjyer kur dëgjoj zyrtarë shumë të mprehtë dhe të aftë si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të përdorin këtë retorikë standarde, që takon palëve, është në dorën e palëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Kjo marrëveshje quhet propozim i BE-së dhe aty ka detyrime për BE-në dhe SHBA e ka nxitur atë. Nuk duhet të ketë një retorikë të tillë”.

Sipas zonjës Ruge, varet nga interpretimi nëse marrëveshja mund të konsiderohet sukses.

“Pyetja është se cili skenar duket më realist: a bëhet fjalë për dështim, duke pasur parasysh retorikën e udhëheqësve veçanërisht të Aleksandar Vuçiçit, i cili në thelb ka thënë se kjo marrëveshje nuk është arritur, apo duhet marrë për bazë interpretimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas së cilit tani që është bërë pjesë e kornizës së negociatave (të BE-së), kjo do ta shtyjë në mënyrë të pashmangshme Serbinë të angazhohet në përmbushjen e këtyre dispozitave?”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Prof. Joseph thotë se Perëndimi duhet gjithashtu që të veprojë me vendosmëri për t’u dhënë fund mëdyshjeve nëse marrëveshja është e detyrueshme ose jo.

“BE-ja duhet ta elimimojë këtë paqartësi dhe mund ta bëjë këtë shumë thjesht, duke e regjistruar këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara”, thotë ai.

Zoti Joseph thotë se në këtë mënyrë eliminohen hijet e dyshimit për respektimin e detyrimeve nga të gjitha palët dhe përveç kësaj, do të ishte një sinjal inkurajimi për Kosovën.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova ka hapin e parë, hapin e madh, një hap vendimtar për të marrë dhe që siç e kam thënë është në fakt i parakohshëm, por është një detyrim dhe ky është formimi i këtij vetëmenaxhimi apo Asociacioni, siç është quajtur me të dyja emërimet. Pra, është shumë e rëndësishme t’i jepet besim dhe një shtysë Kosovës e cila ka obligimet e para”.

Asociacioni është një nga pikat më të nxehta të debatit mes dy vendeve dhe përpjekjeve të perëndimorëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e konsideron atë një përparësi, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se nuk do të lejojë kurrë krijimin e një entiteti me bazë etnike, apo një autonomi territoriale. Dr. Ruge thotë se ka një arsye se pse kryeministri Kurti nuk ka ndonjë nxitim që t’i ofrojë Serbisë konstruktin institucional të Asociacionit të Komunave që mund të dëmtojë aftësinë e Kosovës për të funksionuar.

“Sepse ai ndoshta nuk po sheh ndonjë sinjal se kjo do të sjellë ndonjë gjë në këmbim, ndoshta nuk sheh që Kosova do të marrë ndonjë gjë para se të angazhohet për një hap të tillë”.

Një nga synimet kryesore të Kosovës është heqja e pengesave nga Serbia për një njohje më të gjerë, një sinjalizim për njohje de facto edhe pse jo de jure (që Beogradi të paktën publikisht nuk ka dhënë shenja se po e bën) dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha javën e kaluar se zbatimi i marrëveshjes do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Supozimi është se nëse Serbia bie dakord, që edhe pa e njohur Kosovën, të mos përpiqet që të tjerët ose ta bllokojnë atë të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare, ose nëse në një farë mënyre nuk pengon njohjen ose lobimin kundër njohjes së të tjerëve, kjo mund të realizohet. Por më duhet të them se nuk jam ende optimiste në këtë drejtim”, thotë ajo.

Zoti Joseph thotë se është i zhgënjyer me qëndrimet e vendeve mosnjohësve pas kësaj marrëveshjeje.

“Sugjerimi im për t’u dhënë atyre një shtysë është që Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe kjo do ta transformojë të gjithë çështjen”, thotë ai.

Ndërsa presidenti Vuçiç që i jep përparësi Asociacionit, kryeministri Kurti ka thënë se urgjencë e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.

Mbi një mijë e 600 vetë rezultojnë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Edhe pse diplomacia perëndimore po e përqendron vëmendjen tek e ardhmja e marrëdhënieve, vetëm disa ditë më parë përvjetori i fushatës së NATO-s, ringjalli kujtime të ndryshme për dy vendet.

Profesor Joseph thotë se shumë diplomatëve që shkojnë në rajon u pëlqen të thonë shprehjen “mos mendoni për të kaluarën, thjesht shikoni të ardhmen”, por shton se kjo është diçka shumë jorealiste.

“Mund ta imagjinosh ta thuash këtë në Ukrainë pas luftës? Imagjino edhe pesë, 10 vjet, 20 vjet pas luftës, a mund ta imagjinosh të shkosh në Ukrainë dhe të thuash ‘thjesht harro të kaluarën dhe shiko nga e ardhmja me Rusinë’?

Ai merr shkak për komentet e tij nga një shprehje e ngushëllimeve e ambasadorit amerikan në Beograd Chris Hill, për viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s, çka nga ana njerëzore siç thotë ai, është e kuptueshme.

“Ambasadori Hill përdori saktësisht të njëjtat fjalë që përdori Joe Biden kur ishte nënpresident kur shkoi në Beograd në vitin 2016. Pse është ky një problem? Sepse shtatë vjet më vonë shohim që fjalët e nënpresidentit Biden nuk patën asnjë ndikim në Serbi. Thjesht Vuçiç dhe të tjerët thanë “faleminderit shumë, ne jemi viktimat””, tha ai.

Ndërsa zoti Joseph mendon se secila nga palët duhet mbajtur përgjegjëse, ai kujton se ish-presidenti Hashim Thaçi tani është në Hagë, bashkë me ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që nga qytetarët e vendit shihet si vënie e shenjës së barazimit me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. / VOA

Kosova

Si kofini pas të vjelit, Isa Mustafa ‘trimëri’ pas luftës, akuzon Kurtin

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, propozimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – që nuk është i dakorduar paraprakisht në procesin e dialogut – në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim përveç se është “paradoksal është edhe joserioz”.

Mustafa theksoi se Gjermania, Franca e Italia po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit që është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe e Ohrit (e dakorduar më 27 shkurt dhe me 18 mars), i cili në vlerësimin e tij është “një autonomi politike territoriale”.

Mustafa ndër të tjera argumentoi se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa persa i përket transformimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga kundërshtuesi më i madh, te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas Mustafës flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë”.

“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës” – potencoi ish kryeministri Mustafa.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç gjen armiqtë e jashtëm të Serbisë dhe tregon qëllimet e tyre

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, duke folur për propozimin për rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ka deklaruar se ajo ka katër qëllime. Sipas presidentit serb, një nga qëllimet është shfuqizimi i etnitetit të Republikës Serbe në BeH.

“Qëllimi i parë i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është shfuqizimi i RS, sipas dy rishikimeve të aktgjykimit për përgjegjësinë e Republikës së Serbisë, dhe i treti është që dikush të marrë ca para nga Serbia dhe ta padisë për Kompensimi për dëmet e luftës, i katërti është barra shtesë për Serbinë dhe vendosja e gjithçkaje mbi supet e saj, por qëllimi i tyre nuk është të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta, por dëshira për të shkatërruar çdo lloj proteste kundër tyre”- pohoi Vuçic I cili nuk nguroi ti gjente kundërshtarë të Serbisë në Uashington, Berlin dhe Londër.

Gjithashtu ai nuk e ka fshehur pesimizmin se do të miratohet rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Për shtatë ditë përfundon seanca e OKB-së, dhe ata do të fitojnë formalisht, por nuk do t’ju them se për sa vota, por di te them se kemi luftuar”, përfundoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën, ja qëllimi sipas analistit ushtarak nga Beogradi

Aleksandër Radiç, analist ushtarak nga Beogradi, ka folur për praninë e shtuar të NATO-s në Ballkan, ndikimin rus dhe njohjen e heshtur të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sipas Radiç, NATO-s i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së stabilitetit në territorin e ish-Jugosllavisë, sepse vlerëson se ekziston rreziku i një krize sigurie.

“Forcat e NATO-s në krahun lindor janë forcuar si një masë parandaluese, teksa njësi janë vendosur për të penguar Rusinë nga përpjekjet për të zgjeruar praninë e saj në pellgun e Detit të Zi” – deklaroi Radiç duke shtuar se nuk pritet per momentin që të ndodhë diçka, sepse është dërguar një mesazh i qartë se nuk do të lejohet.

“Ndikimi më i rëndësishëm në dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është politika e Vuçiqit, e cila zhvillohet në dy pista – në njërën, mbahen marrëdhënie të mira me Moskën, dhe në anën tjetër, pelqen bankomatin e Bashkimit Europian”

Analisti ushtarak tha gjithashtu se edhe kërcënimet e Vuçiqit janë vetëm mashtrim ndaj popullit serb dhe Serbisë.

“Beogradi ka kaluar në nivel propagandistik dhe problemi i vërtetë është se si të bëhet opinioni publik serb të pranojë politikën e Vuçiqit për njohjen e fshehtë të pavarësisë së Kosovës” – potencoi Aleksandër Radiç.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç qau fshehurazi te Macron për ndalimin e Porfirije

Sipas doktor professor Enver Bytyçi, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

“E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd” – theksoi Bytyçi duke shtuar se “Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”

Sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

“Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët” – deklaroi Bytyçi

Continue Reading

Kosova

Dështimi i Kosovës në KiE: Reuten: Gjermania, Franca dhe Italia iu përulen Serbisë

Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka fajësuar Gjermaninë, Francën dhe Italinë për mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Shtetet anëtare, fatkeqësisht një rol të spikatur Gjermania, Franca dhe Italia dogjën përsëri besueshmërinë e tyre dhe iu përulën Serbisë. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe bën pjesë në Këshillin e Evropës, fundi i qetësimit të Vuçiçit tani”, shkroi ai në platformën X.

Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING