Rajon
Pasojat e Luftes/Ukrainës mund t’i duhen 20 vite për të rikuperuar prodhimin bujqësor
Sektori bujqësor i Ukrainës mund të ketë nevojë për 20 vite, për t’u rikuperuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga pushtimi rus, sipas një qendre kërkimore me bazë në Kiev.
Ukraina është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit, lulediellit dhe vajit të lulediellit, por prodhimi i saj ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
“Sipas rezultateve të modeleve, disa nga sektorët nuk do të arrijë nivelet e paraluftës edhe pas shtatë vitesh paqeje”, thuhet në një deklaratë të Shkollës Ekonomike të Kievit.
Sipas këtij studimi, sektori i lulediellit, elbit dhe grurit pritet të rimëkëmbet deri në vitin 2040, ndërsa sektori i misrit, thekrës, tërshërës dhe kanolës pritet të rimëkëmbet deri në vitin 2050.
“Kjo do të thotë se mund të duhen deri në 20 vjet që Ukraina të rifitojë fuqinë e saj në bujqësi pas shkatërrimit të shkaktuar nga ofensiva ushtarake ruse”, thanë autorët e studimit.
Ukraina kishte korrur 106 milionë ton drithë dhe fara vajore në vitin 2021 përpara pushtimit, por prodhimi mund të bjerë në rreth 65 milionë tonë në vitin 2023, ka njoftuar ministria e bujqësisë. /abcnews.al