Kronike
Vrau kolegun brenda komisariatit, ja sa vite burg kërkon Prokuroria për autorin
Prokuroria e Tiranës jep pretencën për ish-efektivin Ludjan Zaimi, i cili vrau kolegun e tij Çaush Saliasi brenda komisariatit numër 3. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Prokuroria ka kërkuar 35 vite burg për akuzën e “vrasjes së punonjësit të policisë”.
Në lidhje me ngjarjen është dhënë një dëshmi e një kolegu të tij, i cili ishte prezent kur ndodhi ngjarja.
“Kur ndodhi ngjarja unë kam qenë në pjesën e oborrit të komisariatit. Në ato momente Caush Saliasi ishte te shkallët dhe ishte duke dredhur një cigare. I fola Caushit dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Në këtë çast Ludjan Zaimi doli nga klasa dhe erdhi pas meje dhe unë e pyes si je dhe pse je i mërzitur? Më tha: Nuk kam asgjë, por hapu dhe shtyhu pak pas. Unë i them pse, por ai ngul këmbë dhe më thotë sërish, shtyhu pas shtyhu. Në atë moment ai nxjerr armën e shërbimit dhe i them çfarë po bën kështu, por ai nuk u kthye dhe u drejtua me armën në dorë drejt Caush Saliasit dhe i thotë këtij të fundit “Tani do të sqarohemi bashkë”. Menjëherë Caush Saliasi u ngrit në këmbë dhe u fut te klasa qe t’i shmangej, por Ludian Zaimi e qëlloi me armën e shërbimit, edhe pse Caushi ra në tokë, Ludiani e qëlloi sërish dhe herë të tjera”, përfundon dëshminë polici me iniciale K.Q./ balkanweb