Connect with us

Politike

Ahmetaj nga arratia kërkon pronat e sekuestruara, GJKKO rrëzon kërkesë

Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e ish zv. kryeministrit, Arben Ahmetajt për heqjen e sekuestros së apartamentit në Tiranë.

Pasi aprovoi vendosjen e sekuestros preventive të katër apartamenteve dhe dy llogarive bankare, që dyshohet se i takojnë Arben Ahmetajt, Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi urdhër-arrest për ish-ministrin.

Pas kësaj mase sigurie të shpallur në mungesë ndaj ish-funksionarit, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit kanë vijuar kontrollet menjëherë pas këtij momenti, ndonëse rezulton në sistemin TIMS se Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipërisë.

Dyshohet se Ahmetaj ka kryer korrupsion në gjashtë episode, po ashtu ka fshehur pasuri dhe ka pastruar para, sipas dosjes hetimore në të cilën përmenden shumë emra të tjerë biznesmenësh, ish-nëpunësish e personave të tjerë që janë nën hetim.

Sipas SPAK, janë ushtruar kontrolle në shtatë banesa, në të cilat janë sekuestruar dokumente, kompjuterë laptopë, telefona celularë,USB dhe materiale të cilat do të verifikohen.

Avokatët e Arben Ahmetajt kanë deklaruar se ai është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtonte kërkesën e SPAK, i cili ndonëse kërkoi autorizim për t’i kërkuar gjykatës masë arresti për ish funksionarin, ky vendim nuk është shpallur ende.

Arben Ahmetaj si ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, mbas këqyrjeve në një kompjuter që i përket Klodian Zotos, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.

Për hetimet SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve për që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon blackberry i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.

Advertisement