Connect with us

Shkrime

Mos i merrni për budallenj liderët shqiptarë të Kosovës

Nga Enver Bytyçi

Sipas profesori doktor Enver Bytyçit,  emisari amerikan Gabriel Escobar duket shumë i pakënaqur që kryeministri i Kosovës nuk merr përgjegjësi për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit si monedhë përdorimi në Kosovë.

“Sipas tij “Serbët në Kosovë po vuajnë nga ky vendim”! Thotë se “është i shqetësuar për jetën e qytetarëve minoritarë”! Unë nuk e di nëse vërtet ka probleme të tilla. Por nëse do të kishte, qeveria e Kosovës do t’i kishte trajtuar ato. Përfundimisht përfaqësuesi amerikan u largua i pakënaqur nga Kosova. E qortoi Kurtin, për mua padrejtësisht, sepse vetë amerikanët kanë imponuar përdorimin e euros në Kosovë. Tani thonë, jo vazhdoni e përdorni edhe dinarin serb. Na thonë hiqni dorë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit, ndërkohë që kritikuan shumë ashpër, si mungesë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit” –  shpjegoi profesor Bytyçi, duke shtuar me tej se  bashkësia ndërkombëtare po punon më dy standarde.

“Dhe në të dyja rastet, kur kërkohen standarde të kundërta, në lojë janë interesat e Serbisë, nuk janë interesat e Kosovës. Kurti ua hoqi nga dora argumentin kritik persa i përket pronës së Manastirit të Deçanit. Dhe e bëri këtë për t’i hapur rrugë pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por zoti Escobar thotë se janë edhe dy kushte tjera që Kosova të bëhet anëtare, përkatësisht Asociacioni dhe mos shtetëzimi i pronave për interes shtetëror në veri të Kosovës. Edhe këtu ka një kontradiktë të çuditshme. Ndërsa kërkuan të zbatohet një vendim i kasapit Milosheviç për pronat e Manastirit të Deçanit, tani dalin kundër përdorimit të pronave dhe territorit në veri të Kosovës për interesa shtetërore, si psh për ndërtimin e stacioneve të policisë ose për arsye tjera, deri te ndërtimi i reparteve ushtarake në atë pjesë të territorit”, theksoi Bytyçi.

“Kjo kërkesë është në kundërshtim jo vetëm me kushtetutën e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244, e cila kishte vendosur largimin e ushtrisë e policisë serbe nga territori i Kosovës, jo largimin e policisë e të ushtrisë së Kosovës!

Por ajo që më shqetësoi lidhet me faktin se zoti Escobar paska kërkuar që Kosovës t’i vihen si kushte për pranim në Këshillin e Evropës edhe kushtin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë” – deklaroi Bytyçi, i cili paralajmëroi edhe një skenar të dëmshëm për Kosovën.

Në fund të fundit është e drejta e çdokujt, edhe e shteteve të deklarohen hapur për ndryshimet që pësojnë në strategjitë për mbrojtjen e interesave të tyre. Por nuk duhet të përpiqet t’i marrë për budallenj liderët shqiptarë. Ata të korruptuarit ishin peng i planeve të Serbisë, këta që nuk janë peng po duket se i marrin për budallenj. Kjo është shumë e rrezikshme dhe e papranueshme”, deklaroi Enver Bytyçi, duke potencuar: –

“Përfundimisht unë ia lejoj vetes të them se ndihmës-sekretari amerikan, Gabriel Escobar, erdhi në Kosovë si emisar i Aleksandër Vuçic dhe jo si mbrojtës i interesave të Kosovës, i ligjeve dhe kushtetutës së saj. Së paku duhej ta kursente kushtëzimin e pranimit në KE me asociacionin. Dikush mund të më thotë se SHBA-të nuk janë anëtare të KE-së. Por deklaratat e tij ishin nxitje për aleatët amerikanë në këtë Këshill që të venë kushtëzime të reja. Së paku nuk duhej të thoshte se “mbron interesat e Kosovës”! Duhej ta kursente këtë fjalë, sepse ky është mashtrim i madh”.

 

 

Advertisement