Politike
Rama: Pasqyra e Çmimeve po jep rezultatet e para, ja si mund të kursejnë qytetarët
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar nismën e “Pasqyrës së Çmimeve”, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për rritjen e transparencës në treg dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
Gjatë podcastit të tij “FLASIM”, Rama u shpreh se platforma digjitale ka nisur të japë rezultatet e para pozitive, duke u krijuar qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve në pika të ndryshme shitjeje dhe të zgjedhin marketet që ofrojnë alternativa më të leverdishme.
Sipas kryeministrit, kjo nismë synon të rrisë konkurrencën mes rrjeteve të supermarketeve, pasi tashmë bizneset kanë mundësi të shohin në kohë reale çmimet e njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë, pritet që transparenca të ndikojë edhe në mënyrën se si përcaktohen ofertat dhe çmimet në treg.
“Ne sot nuk hyjmë në terren të panjohur, sepse kemi një instrument të ri aktiv, që është pasqyra digjitale e çmimeve, e cila po jep shenja pozitive. Gjendet e reflektuar në të gjitha pikat e shitjes që e kanë përqafuar këtë iniciativë. Qytetarët kanë mundësi të bëjnë krahasimet dhe të zgjedhin. Është e rëndësishme që rrjetet e supermarketeve të shohin në kohë reale njëri-tjetrin”, deklaroi Rama.
Një tjetër çështje e prekur gjatë bisedës ishte edhe ndikimi i uljes së TVSH-së te konsumatorët. Kreu i qeverisë bëri të ditur se synimi është që të realizohet një vlerësim fillestar për të parë se sa është reflektuar kjo masë në çmimet e produkteve dhe në shpenzimet e qytetarëve.
Nisma e “Pasqyrës së Çmimeve” synon t’u japë konsumatorëve më shumë informacion përpara blerjeve, duke i ndihmuar të identifikojnë ofertat më të favorshme, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi konkret do të ketë në konkurrencën mes bizneseve dhe në çmimet përfundimtare në treg.