✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Peleshi uron Ditën e Alfabetit: Kongresi i Manastirit, një moment vendimtar për identitetin kombëtar

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë një mesazh urimi, duke vënë në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe njësimit të alfabetit shqip.

Në mesazhin e tij, Peleshi e cilëson Kongresin e Manastirit si një ngjarje vendimtare në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe orientimin e vendit drejt Perëndimit.

Ai kujton se nga 14 deri më 22 nëntor 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje dhe besime të ndryshme, u bashkuan rreth një ideali të përbashkët: njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Një vendim historik që, siç thekson Peleshi, vazhdon të japë frytet e tij edhe sot, sa herë shqiptarët shkruajnë dhe lexojnë me 36 shkronjat e alfabetit të tyre.

Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes teknologjisë, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.

Në mesazhin e tij, Peleshi thekson gjithashtu domosdoshmërinë e mbrojtjes, pasurimit dhe promovimit të gjuhës shqipe, si një nga vlerat themelore të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore.

Ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj te brezat e ardhshëm mbetet një përgjegjësi e përbashkët, ku institucionet kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e vazhdimësisë së kësaj pasurie kombëtare.

Advertisement