✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama: 10 mijë familjet e para do të marrin çelësat e banesave vitin e ardhshëm

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar objektivat e qeverisë për programin e ri të strehimit, duke deklaruar se 10 mijë familjet e para do të kenë mundësi të përfitojnë banesat e tyre duke filluar nga viti i ardhshëm.

Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama u ndal te ligji i ri për strehimin, i miratuar në Kuvend dy ditë më parë, i cili sipas tij synon të krijojë një kategori të re banesash të përballueshme, mes tregut të lirë dhe strehimit social.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se skema e re do të përfshijë disa mekanizma mbështetës për qytetarët që kanë vështirësi ekonomike për të siguruar një banesë. Ndër masat e parashikuara janë kreditë pa interes për blerjen e shtëpisë së parë, garancia shtetërore për personat që nuk disponojnë kursimet e nevojshme për kolateral, si dhe subvencionimi deri në 50% i kostos së qirasë.

Ai bëri të ditur se objektivi afatgjatë i qeverisë është që deri në vitin 2030 të shpërndahen gjithsej 55 mijë çelësa banesash, përmes kategorive të ndryshme të mbështetjes shtetërore.

Një tjetër element i programit është ndërtimi i lagjeve të reja me banesa sociale dhe të përballueshme, të shoqëruara me infrastrukturën e nevojshme publike, përfshirë shkollat dhe kopshtet.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te vështirësitë që hasin të rinjtë për të blerë një banesë në Tiranë, pavarësisht zgjerimit të vazhdueshëm urban dhe numrit në rritje të ndërtimeve.

“Një qytet që ndërton gjithnjë më shumë si Tirana, po ku gjithnjë më pak të rinj kanë mundësi të shikojnë një shtëpi edhe të mendojnë se mund ta kenë. Ka një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme”, deklaroi kryeministri.

Përmes reformës së re, qeveria synon të zgjerojë mundësitë e përfitimit të një banese, duke përfshirë edhe familjet e reja dhe qytetarët që, ndonëse kanë të ardhura, nuk arrijnë të përballojnë çmimet e tregut të lirë të pasurive të paluajtshme.

Advertisement