Aktualitet
Në polici e quajti të sëmurë mendore, detaje të reja nga zhdukja e nënës me fëmijët
Konfliktet në çift kishin muaj që kishin nisur dhe praktikisht çifti ishte i ndarë pasi martesa nuk konsumohej më dhe Ergys Arazi kishte nisur një marrëdhënie tjetër.
Sipas familjarëve të gruas, ai grindej çdo ditë me të dhe i thoshte të dilte nga shtëpia ku ajo jetonte në një dhomë dhe flinte me fëmijët”, sipas gazetares Dorjana Bezat.
I pyetur në polici, ditën kur denoncoi zhdukjen, por edhe më vonë pas gjetjes së trupit të së bijës ai e ka cilësuar bashkëshorten “të sëmurë mendore” dhe sipas tij kishte muaj që trajtohej me ilaçe depresioni.
Por kjo dëshmi nuk është verifikuar nga blutë, pasi ende nuk është gjetur ndonjë kartelë e 39 vjeçares apo mjek që t’i ketë lëshuar recetë për këto medikamente.
Duket se gruaja ka qenë e vetme në këtë situatë pasi dhe pas zhdukjes së saj e vetmja që ka treguar interes ka qenë e motra ndërsa vëllai dhe të afërmit e tjerë nuk janë interesuar në polici dhe nuk i janë përgjigjur kërkesës për t’u pyetur si persona që kanë dijeni për ngjarjen.
SHKODËR– Një ngjarje tronditëse që nuk është dëgjuar më parë në Shqipëri, në kufijtë e të pabesueshmes, ka ndodhur në Shkodër. Dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit.
Motra e gruas me tre fëmijë, ka thënë në polici, se Alma Arrazi dhunohej barbarisht nga burri. Ka qenë vetë 31-vjeçari Erys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Në denoncimin e tij, Arrazi ka deklaruar se gruaja është larguar që prej datës 2 maj. Kërkimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të bashkëshortit, ku mbrëmjen e djeshme, 4 maj, u gjet nga peshkatarët vajza 9-vjeçare. Sipas policisë, të miturës nuk i janë konstatuar shenja dhune.
“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve Erdgys Arrazi dhe Alma Arrazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njofton policia.
Policia thotë se ajo është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj, i cili tashmë është arrestuar për shkaktim të vetëvrasjes.
Kurse Alma Arrazi 39 vjeçe, me vajzën tjetër 8 vjeçe dhe djalin e vogël 3 vjeç nuk janë gjetur akoma. Polumbarët e RENEA-s po kërkojnë trupat e tyre nga Buna deri në Velipojë, në grykëderdhjen fundore, pasi dyshojnë se edhe ata mund të jenë vetëmbytur.
Nga dëshmitë e para, mësohet se gruaja me të vegjlit, ditën që është zhdukur, kishte pirë kafe me kunatën, nusen e vëllait të Erdgysit, por janë ndarë, pa ngritur asnjë dyshim për vendimin fatal. Dyshohet se ajo ka mbajtur fort fëmijët për dore, dhe është hedhur bashkë me ta nga Ura e Bunës.
Sipas një dëshmie tjetër, thuhet se e reja kishte mësuar se fundmi se bashkëshorti e tradhtonte me një grua tjetër. Ai, po sipas burimeve, e nxirrte live te dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës së madhe.
Kur ka mësuar për gjetjen e trupit të pajetë të së bijës, Erdgys Arrazi ka qenë i ftohtë dhe pa asnjë reagim dhe ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas.
Erdgys Arrazit është vëllai i Edison Arrazi, ky i fundit i dënuar për posedim kanabisi. Vëllai i Arrazit ishte akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës me 6 plumba në trup më 17 maj 2021, në zonën e Livadheve të Shkodrës. Por, ai u la në burg vetëm për kanabisi, pasi nuk pati prova ndaj tij, si i përfshirë në ngjarje.
Ngjarja e rëndë në Shkodër, ministrja Koçiu: Dhuna e depresioni, sfida që shoqëria mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit
Reagimeve për ngjarjen e rëndë në Shkodër ku një nënë me 3 fëmijët e saj u mbytën në ujërat e lumit Buna, iu është bashkuar edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu . Si dhuna fizike ashtu edhe psikologjike që është ushtruar ndaj nënës 39-vjeçare nga bashkëshortii saj, Koçiu thotë se është një fenomen i papranueshëm.
“Thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku sipas dyshimeve paraprake, dhuna e përsëritur fizike dhe psikologjike ka shtyrë një nënë në një akt makabër vetflijimi. Dhuna, në të gjjtha format e saj është një fenomen i papranueshëm. Është një akt burracakësh! Është një mënyrë që cënon bërthamën e familjes dhe ata që kanë më pak forcë të mbrohen, nënat dhe fëmijët!
Në të njëjtën kohë, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Depresioni, në të gjitha format në të cilat manifestohet dhe pavarësisht arsyeve që e shkaktojnë atë, është një barrë e rëndë për çdo individ të prekur dhe për vetë shoqërinë tonë. Këto janë sfida që shoqëria jonë mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit. Vetëm duke i qëndruar pranë, të gjithë së bashku, viktimave të dhunës apo të gjithë atyre që kalojnë një moment të vështirë në jetë!
Sot, është dita në të cilën të gjithë së bashku, institucionet, media, universiteti, shkolla, familja, shoqëria, e të gjithë me radhë duhet të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë më shumë për të rritur numrin e denoncimeve apo mbështetjen për të gjithë ata që kanë nevojë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta të gjithë të dashurve të prekur nga kjo tragjedi. Gjithashtu dua të lëshoj një apel drejtuar pikë së pari institucioneve përkatëse, për hetimin deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe së dyti, ndaj të gjithë qytetarëve, le të bëhemi bashkë, për të shfarosur dhunën e për të mbështetur këdo që ka nevojë përmes forcës së jashtëzakonshme të solidaritetit njerëzor.”