Connect with us

Kronike

Vrasja e dyfishtë në Roskovec/ Ja çfarë vendos Gjykata për autorin dhe fëmijët

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për Altin Kukën, dy djemtë e tij, Emaurisio dhe Ervis, si dhe për Tomorr Zykën, i cili strehoi të rinjtë pas vrasjes së Ladimir dhe Gramoz Kurtaj.

Prokuroria ka ngritur akuzën e “vrasjes në bashkëpunim” dhe “vrasjes në rrethana cilësuese” për babanë dhe dy djemtë, ndërsa për Tomorr Zykën, akuza është “përkrahje e autorit të krimit”.

Në një seancë të gjatë gjyqësore, gjyqtarja Gladiola Bregu shqyrtoi dosjen e prokurorisë, detaje të së cilës mbeten të klasifikuara si “sekret hetimor”. Të katër të akuzuarit zgjodhën të heshtnin në gjykatë, duke mbështetur deklaratën e parë të Altin Kukës, i cili ka pranuar se vrau dy vëllezërit për shkak të një konflikti mes djemve të tij dhe viktimave.

Më herët, në polici, Altin Kuka dhe djemtë e tij deklaruan se konflikti filloi midis djemve të tyre dhe një punonjësi në pularinë e familjes Kuka. Më pas, Gramoz dhe Ladimir Kurtaj kishin kërkuar të takonin babanë 79-vjeçar të Altin Kukës për t’u sqaruar, por situata u përkeqësua dhe Altin Kuka mori një kallashnikov, duke e përdorur atë kundër dy vëllezërve.

Katër ditë pas ngjarjes, motivi për vrasjen e dyfishtë në Kurjan mbetet i paqartë. Altin Kuka u vetëdeklarua fajtor dhe u dorëzua në polici, duke rrëfyer edhe arsyen e krimit, megjithatë mbetet e pakuptueshme se si miqësia e gjatë mes familjeve Kuka dhe Kurtaj u kthye në një akt të tillë të dhunshëm. Detaje të mëtejshme të dosjes hetimore janë klasifikuar si sekret, duke lënë të hapura pistat për zbardhjen e motiveve të ngjarjes.

Përveç kësaj, është proceduar penalisht edhe babai i Altin Kukës, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Advertisement