Politike
“Ore ky Saliu pse nuk del vetë nga shtëpia dhe të bëjë mosbindje civile” – Ylli Rakipi për protestën e PD
Opozita ka organizuar një demonstratë, ku janë hedhur molotovë në drejtim të disa institucioneve dhe u është vënë flaka disa objekteve si kazanë plehrash, stacione autobuzi, etj.
Gazetari Ylli Rakipi, gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka shtruar pyetjen për panelin, se përse lideri i opozitës nuk del nga banesa ku ndodhet në arrest shtëpia, pasi ky do të ishte një akt i mirëfilltë i mosbindjes civile dhe jo vandalizimi ndaj objekteve nëpër Tiranë që po zhvillohet pa kuptim nga mbështetës të PD.
Ylli Rakipi: Mosbindje civile thonë këta… Doktori po të dilte nga aty, kjo do të quhej mosbindje civile. Jo djegia e koshave që po bëjnë. Dalja nga shtëpia, kjo është mosbindja civile e vërtetë.
Enton Abilekaj: Rasti për të dalë ishte kur mund të shkonte të merrte pjesë në punimet e Kuvendit.
Ylli Rakipi: Mobindja civile nënkupton shkeljen e ligjit ose rregullave, por në mënyrë paqësore, për të mundësuar ndryshime në legjislacion, arritjen e të drejtave të barabarta, etj. Një shembull tipik në histori, aktivistja Rosa Parks në vitin 1955 në Alabama, refuzoi t’ja lirojë vendin në autobus një personi të bardhë dhe të ulej në fund të autobuzit, sic duhet të bënin zezakët në Amerikë.
Është një akt i mirëfilltë i mosbindjes civile. Mosbindja civile mund të jetë përshembull, bllokimi i rrugëve, refuzimi për të vajtur në punë në grup, pra një formë greve. Një shembull konkret nga Shqipëria, në vitin 2021, punonjësit e Albcontroll refuzuan të paraqiten në punë duke paralizuar aeroportin.