Sokol Vata, 29-vjeçari i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së një shtetasi francez rreth 20 vjeç në Ksamil, rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe.
Sipas një raportimi të BBC të vitit 2024, Vata ishte dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për disa vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Në prill të vitit 2024, ai ishte përfshirë në dy episode të veçanta ndjekjeje nga policia britanike.
Në rastin e parë, më 13 prill, në A20 pranë East Malling, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Gjatë ndjekjes, automjeti me targa të klonuara që ai drejtonte u përmbys.
Vata arriti të largohej, por brenda automjetit policia gjeti qese me kokainë dhe targa të tjera automjetesh.
Vetëm 17 ditë më vonë, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore, këtë herë në Cambridge.
Policia kishte lokalizuar një Toyota RAV4, të raportuar të vjedhur. Sipas autoriteteve britanike, sapo efektivët iu afruan, Vata u largua me shpejtësi, duke hipur edhe mbi trotuar.
Gjatë arratisjes, ai hodhi një pako me kokainë në një shkurre dhe më pas braktisi automjetin.
Arratisja përfundoi kur policia e gjeti të fshehur në oborrin e pasmë të një banese. Në xhepat e tij u gjetën 560 paund, ndërsa në automjet u sekuestruan edhe targa të tjera.
Testet zbuluan gjithashtu se ai kishte drejtuar automjetin nën efektin e drogës.
Në shtator 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi me 5 vite burg.
Vata kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Por tashmë emri i tij është rikthyer në vëmendje për një ngjarje shumë më të rëndë, këtë herë në Shqipëri.
Rreth orës 05:15, në Ksamil, një shtetas francez rreth 20 vjeç u gjet pa shenja jete në shezlongët përpara një lokali.
Sipas Policisë, dyshohet se i riu është goditur me thikë gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sokol Vata, 29 vjeç, banues në Has, është identifikuar si autori i dyshuar dhe është shpallur në kërkim.
Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Deri në përfundim të hetimeve dhe vendimit të gjykatës, Vata mbetet i dyshuar për vrasjen në Ksamil dhe jo i dënuar për këtë ngjarje.