Connect with us

Bota

Ngrirja e fondeve të USAID, zyrtari i Shtëpisë së Bardhë përdor si shembull Shqipërinë

Për herë të parë nga ngrirja e fondeve të USAID-it, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka përdorur si shembull Shqipërinë

Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Trump zbatoi një ngrirje 90-ditore të ndihmës së huaj.

Katër ditë më vonë, Peter Marocco – një i emëruar politik i rikthyer nga mandati i parë i Trump – hartoi një interpretim më të ashpër se sa pritej të atij urdhri.

Për herë të parë, që nga ngrirja e fondeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka përdorur si shembull Shqipërinë.

“‘Fuqia e butë’ është alamet eufemizmi për financimin e studimeve gjinore në Shqipëri”, shkruan në median sociale “X”, Stephen Miller, zëvendës shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë për Politikë dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Miller po i kundërpërgjigjej senatorit amerikan Chris Murphy, i cili ishte thirrur për të folur në një emision pikërisht për mbylljen e USAID-it.

Shumë organizata joqeveritare në Ballkanin Perëndimor kanë mbetur të bllokuara pasi vendimit të Trump-it.

Disa nga grupet mbështeten në fondet e agjencisë amerikane për t’i shërbyer komuniteteve të margjinalizuara.

Financime të tjera janë përdorur për të promovuar reforma jetike në gjyqësor dhe në sektorët e financave dhe energjisë.

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për misionet speciale, deklaroi më herët se “miliarda dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë” për të zbatuar politikat në vende të tjera.

Grenell ripostoi një postim në rrjetin social X se sa para pretendohet se ka shpenzuar Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, duke e quajtur “shpenzim të pamatur”.

“Amerikanët punëtorë paguajnë taksa – politikanët në Washington DC po i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliarda dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të zbatuar politika radikale në vende të tjera”, shkroi ai, duke ndarë një postim ku përmenden shpenzimet e supozuara të USAID-it në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i shpërndarë nga Grenell, spekulon se janë rreth dy miliardë dollarë të shpërndara nga USAID në Ballkanin Perëndimor nga viti 2020 deri në 2024, që përkon me pjesën më të madhe të mandatit të ish-presidentit amerikan Joe Biden.

Gjatë një periudhe katërvjeçare, më shumë se 500 milionë dollarë thuhet se i janë dhënë Kosovës, rreth 400 milionë dollarë Bosnjë-Hercegovinës, gati 300 milionë dollarë Maqedonisë së Veriut, më shumë se 200 milionë dollarë Serbisë, më shumë se 180 milionë dollarë Shqipërisë dhe më shumë se 70 milionë dollarë për Malin e Zi.

Administrata e Presidentit Donald Trump synon të bashkojë USAID-in me Departamentin e Shtetit në mënyrë që të reduktojë administratën dhe të harmonizojë shpenzimet me prioritetet e Trump-it.

Advertisement