Connect with us

Bota

Nga Beogradi në Prishtinë, bëhet publike agjenda e Kaja Kallas. Ja me kë do të takohet përfaqësuesja e lartë e BE

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ka nisur sot një vizitë në rajon, duke shkuar së pari në Beograd, nesër pritet të arrijë në Prishtinë.

BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Enriko Barduani” – thuhet në njoftimin e Brukselit.

Takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE-së në Prishtinë të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve tjerë.

 

 

Javën që shkoi, Presidentja Vjosa Osmani e takoi Kaja Kallas në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë, nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër. Kallas do të takojë Albin Kurtin si kreun e Vetëvendosjes, kështu që automatikisht i bie të takohet me Kryeministrin e Kosovës në detyrë, pavarësisht se BE thotë se Kallas nuk do të takojë asnjë zyrtar.

Advertisement