Connect with us

Bota

Irani minon ngushticën e Hormuzit, natë FERRI në Lindjen e Mesme

Irani mund të vendosë mina në ngushticën e Hormuzit nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkoheshin luftës së Izraelit.

Këtë e raporton New York Times, duke cituar disa burime, sipas të cilave minat do të kishin për qëllim të bllokojnë anijet luftarake amerikane në Gjirin Persik.

Mediat: Irani ka një plan për të sulmuar me raketa bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme

Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë shqyrtuar raportet e inteligjencës, Irani ka përgatitur raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme, nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkoheshin luftës së Izraelit, shkruan New York Times.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Europë rreth dhjetëra aeroplanë furnizues me karburant, të cilët mund të përdoren për të mbështetur avionët luftarakë që mbrojnë bazat amerikane ose për të zgjeruar rrezen e veprimit të bombarduesve të përfshirë në një sulm të mundshëm ndaj impianteve bërthamore iraniane.

IDF, nis një valë e gjerë sulmesh! Në aksion 60 avionë

Në zhvillim është një , valë e gjerë sulmesh në zemër të Iranit,  të kryera nga 60 avionë të aviacionit izraelit. Këtë e deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, duke shpjeguar se objektivi janë strukturat për nisjen e raketave balistike të drejtuara kundër Izraelit. Defrin sqaroi se forcat iraniane janë tërhequr në qendër të vendit pas sulmeve të fundit.

“Tani po bëjnë përpjekje për të nisur raketa nga Isfahani, por ne jemi pas tyre”, tha më tej Defrin.

Iran: 35 gra dhe 10 fëmijë midis viktimave që nga nisja e sulmeve, 1 800 të plagosur

Sulmet izraelite gjatë pesë ditëve të fundit kanë vrarë, ndër të tjera, 10 fëmijë dhe 35 gra, dhe kanë plagosur 1,800 persona, tha Ministri iranian i Shëndetësisë, Mohammad Reza Zafarghandi, i cituar nga IRNA. Autoritetet e Teheranit nuk e kanë përditësuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga e diela, kur publikuan një numër prej 224 viktimash.

Vijojnë sulmet Izrael -Iran. Shpërthime janë dëgjuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa ushtria izraelite njoftoi një sulm të ri të raketave balistike nga Irani pasditen e sotme.
Ndërsa sulmet me raketa po vijojnë presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje sot Teheranit për një dorëzim pa kushte, pasi durimi i tyre po mbaronte.
Me një postim në rrjetin e tij social “Truth”, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se e dinin ku fshihej lideri suprem iranian Ali Khamenei, por nuk do e vrisnin. Ai sugjeroi dorëzimin dhe mbarimin e kësaj lufte, teksa nënvizoi se kontrollohet e gjithë hapësira ajrore e Iranit.
“Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi “Udhëheqës Suprem”. Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje – Nuk do ta vrasim!, të paktën jo për momentin. Durimi ynë po mbron”, shkruante mes të tjerash Trump.
Presidenti Donald Trump zhvilloi edhe një takim me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ku në fokus ishin sulmet e SHBA-së ndaj objektivave brenda Iranit, përfshirë objektet bërthamore. Takimi ka zgjatur më shumë se një orë.
Ushtria izraelite gjatë mbrëmjes së sotme nisi një valë të re sulmesh në Iran, ku në aksion u përfshinë 60 avionë.
Më herët, një raketë ra në një parking në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme dhe duke i vënë flakën një autobusi bosh. Një tjetër goditi Herzliya-n, një qytet disa kilometra në veri të Tel Aviv-it.
Kurse Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan sot se kishin eliminuar shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm iranian Ali Shadmani pasi goditën gjatë natës një qendër komande operative në Teheran. Shadmani u emëruar për të udhëhequr Forcat e Armatosura Iraniane katër ditë më parë pas eliminimit të paraardhësit të tij, Alaa Ali Rashid në ditën e parë të ofensivës izraelite.
“Brenda natës, Forcat Ajrore Izraelite, duke përdorur inteligjencën e saktë të marrë nga Drejtoria e Inteligjencës së IDF-së dhe duke shfrytëzuar një mundësi të papritur, goditën një qendër komande operative në zemër të Teheranit, duke eliminuar Ali Shadmani-n, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të kohës së luftës, komandantin më të lartë ushtarak të Iranit dhe krahun e djathtë të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei “, tha IDF në deklaratë.
Nga ana tjetër, mediat iraniane kanë raportuar se është goditur selia e Mossadit, agjencia e inteligjencës izraelite, pranë Tel Avivit. Mossad ka konfirmuar se ka kryer një sulm kibernetik ndaj bankës qendrore iraniane.
Ndërkohë, Donald Trump u largua herët nga takimi i G7 në Kanada për shkak të “asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme”, por nënshkroi një deklaratë të përbashkët me grupin për të shprehur mbështetje për Izraelin dhe për ta etiketuar Iranin si një burim paqëndrueshmërie.
Në një postim në rrjetet sociale më herët, Trump shkroi gjithashtu me shkronja kapitale se Irani “NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE”, duke shtuar “të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”. Pasi zbarkoi në Uashington, Trump tha për gazetarët se “Nuk po kërkoj një armëpushim, ne po kërkojmë diçka më të mirë se një armëpushim”, “një fund të vërtetë” të luftës midis Iranit dhe Izraelit.

Advertisement