Connect with us

Bota

Tronditje në Hagë/ Gjykata shpërfill mocionin e mbrojtjes së Thaçit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën kërkohej veçim i procedurës në rastin ndaj administrimit të drejtësisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga DhSK-ja.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë mocionin paraprak të dorëzuar nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, që ngre kundërshtime lidhur me juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Gjykatësi konstatoi se çështjet e ngritura nuk përbënin kundërshtime juridiksionale dhe hodhi poshtë të dy argumentet e Mbrojtjes: se procedurat duhej të ishin nisur nga Trupi Gjykues II dhe se caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake ishte në shkelje të Ligjit”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, i cili e ka quajtur “skandaloz”.

“Trupi gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së qysh në fillim kishin konstatuar se nuk ekziston asnjë argument për të ngritur aktakuzë për ‘administrim të drejtësisë’ ndaj Presidentit Thaçit dhe të tjerëve”.

“Sot, Gjykata Speciale, ashtu siç pritej, i jep të drejtë Prokurorisë, duke ridëshmuar se ajo punon 24 orë për fabrikimin e rasteve kundër krerëve të UÇK-së”, ka shkruar Behrami në rrjetin social ‘Facebook’.

Më 13 maj, avokatja Sophie Menegon, kishte kërkuar veçimin e procedurës për rastin kundër administrimit të drejtësisë në rastin e ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjykata Speciale ka ngritur një aktakuzë të re më 6 dhjetor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Thaçi, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e “nxitjes”, e cila iu shtua në aktakuzë pas një vendimi të Apelit në rastin e tij kundër administrimit të drejtësisë.

Deklaratën e tij, Thaçi e kishte dorëzuar me shkrim përmes mbrojtjes më 24 prill 2025.

Në këtë rast, ai është i akuzuar së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

 

Advertisement