Connect with us

Bota

Plani me 5 pika! Ja si Donald Trump synon t’i japë fund edhe luftës në Gaza

Teksa lufta 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit ka përfunduar, duket se SHBA dhe Izraeli janë dakordësuar për një plan të ardhshëm për Lindjen e Mesme. Trump dhe Netanjahu duan të arrijnë shpejt marrëveshje të reja paqeje me shtete arabe dhe të përfundojnë sa më parë luftën në Gaza.

Një zgjidhje me dy shtete – pra një shtet izraelit përkrah një shteti palestinez – duket se është sërish në tryezën e diskutimeve.

Pas sulmit amerikan ndaj impianteve bërthamore të Iranit, dy aleatët, SHBA dhe Izraeli kanë rënë dakord për një plan me 5 pika për Lindjen e Mesme. BILD shpjegon pikat më të rëndësishme:

Pika 1: “Luftimet në Gaza duhet të përfundojnë brenda dy javësh,” shkruan gazeta. Presidenti amerikan Trump tha të premten para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai beson “që brenda javës së ardhshme do të ketë një armëpushim në Gaza.”

Sipas Israel Hayom, katër shtete arabe përfshirë Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të marrin në dorë administrimin e Gazës, duke zëvendësuar Hamasin. Udhëheqja e mbetur e Hamasit do të dërgohet në mërgim dhe 50 pengjet e mbajtura do të lirohen më në fund.

Pika 2: Disa shtete në mbarë botën do të pranojnë banorë të Gazës që dëshirojnë të largohen. Nuk është bërë e ditur se për cilat vende bëhet fjalë megjithatë, Trump e ka propozuar këtë ide disa herë më parë.

Pika 3: Marrëveshjet e Abrahamit – marrëveshjet e paqes mes Izraelit dhe disa shteteve arabe – pritet të zgjerohen me përfshirjen e Sirisë dhe Arabisë Saudite. Veçanërisht një marrëveshje me Sirinë, e cila nuk e ka njohur kurrë Izraelin si shtet, do të ishte një hap vendimtar drejt paqes në Lindjen e Mesme. Sipas televizionit izraelit i24, një marrëveshje historike paqeje mes Izraelit dhe Sirisë mund të ndodhë brenda këtij viti, ku Izraeli do të tërhiqej tërësisht nga territori sirian.

Pika 4: Izraeli synon të shprehë gatishmërinë për një zgjidhje të ardhshme të konfliktit palestinez sipas modelit të dy shteteve – por vetëm nëse bëhen reforma në Autoritetin Palestinez që qeveris Bregun Perëndimor.

Pika 5: Sipas Israel Hayom, SHBA do ta njohin pjesërisht kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor.

Advertisement